Shtetet e Bashkuara kritikuan publikisht “fushatën e dezinformimit” në Rusi, e cila, siç thanë, synon të minojë besimin në vaksinat perëndimore kundër COVID-19.
Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, Rusia është duke vazhduar me mashtrimet e vjetra.
“Shihet shumë qartë se Rusia bën mashtrime të vjetra. Duke bërë kështu, ajo – potencialisht – rrezikon jetë njerëzish, që ne shpëtojmë çdo ditë”, tha Price.
Komentet vijnë pasi gazeta Wall Street Journal raportoi më 7 mars për gjetjet e Qendrës Botërore të Angazhimit – një degë e Departamentit të Shtetit – se inteligjenca ruse qëndron prapa katër platformave në internet, të përfshira në një fushatë të koordinuar.
Gazeta thotë se ueb-faqet flasin për gjoja rrezikun e vaksinës Pfizer, të prodhuar në SHBA, në përpjekje për të rritur besimin në vaksinën “Sputnik V” të prodhuar në Rusi.
Ueb-faqet japin një pamje negative për vaksinat, pa siguruar informacione për sigurinë dhe efikasitetin e tyre.
Price tha se ueb-faqet në fjalë, përfshijnë dezinformata për dy nga vaksinat e miratuara deri më tani nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA.
Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha gjatë një konference tha se autoritetet do ta luftojnë dezinformimin “me çdo mjet që kanë”.
Vaksinat perëndimore kundër COVID-19 u miratuan pasi testimet e rrepta dhe masive treguan se ato janë mbi 90 për qind efikase, pasi të jepen me nga dy doza.
Faqet e identifikuara nga Qendra Botërore e Angazhimit, përfshijnë New Eastern Outlook dhe Oriental Review, të cilat thuhet se kontrollohen nga Shërbimit të Jashtëm rus të Inteligjencës (SVR) dhe News Front, i cili mendohet se drejtohet nga Shërbimi i Brendshëm rus i Inteligjencës (FSB). News Front ka selinë në Krime – rajonin ukrainas të ankesuar nga Rusia.
Sipas një raporti të Aleancës për Demokracinë e Sigurisë, një iniciativë jopartiake që studion dezinformimin nga qeveritë autokratike, objektiv kryesor i fushatës ruse është vaksina Pfizer.
“Denigrimi i Pfizerit bëhet pjesërisht për shkak të statusit të tij si vaksina e parë, pas ‘Sputnik V’, që përdoret në mënyrë masive, duke rrezikuar potencialisht dominimin e saj në treg”, thuhet në raportin e Aleancës.
Agjencia e lajmeve AFP raportoi se në një vlerësim për të vitin e kaluar, Qendra Botërore e Angazhimit tha se mijëra llogari të mediave sociale, të lidhura me Rusinë, kanë udhëhequr një fushatë të koordinuar, për të minuar deklaratat zyrtare për sëmundjen COVID-19.
Pas raportit të Wall Street Journal, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, mohoi se agjencitë ruse të inteligjencës janë duke shpërndarë dezinformacione për vaksinat perëndimore.
Qendra e Departamentit të Shtetit zbuloi se edhe Kina, për një kohë të shkurtër, ka bërë përpjekje të ngjashme kundër vaksinave perëndimore, por në fund, siç u tha, ka vendosur se është më e dobishme që të vihen në dukje përpjekjet e saj për vaksinën, sesa të përçmohen versionet e tjera.
Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga COVID-19 me mbi 29 milionë të infektuar dhe me mbi 525 mijë të vdekur. Deri më tani, mbi 90 milionë vaksina janë administruar në SHBA.
Tri vaksinat e miratuara SHBA janë Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Johnson & Johnson.
Rusia është e katërta në botë me numër të të infektuarve me COVID-19, me mbi 4 milionë. Afro 88 mijë kanë humbur jetën. /REL/