Telegrafi

Shtetasi i Maqedonisë në Ukrainë: Luftën nuk e dëshiron askush, dihet kush pëson

Shtetasi i Maqedonisë së Veriut Daniel Lazareviq, i cili është i martuar me një grua ukrainase, është bllokuar me familjen e tij në pjesën qendrore të Ukrainës në afërsi të Kremençuk pranë lumit Dniepers.

Në një intervistë për “Slobodna TV” ai dëshmoi për situatën aktuale në Ukrainë, duke thënë se lufta nuk është e mirë për askënd dhe se këtë nuk ia dëshiron askujt, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Aktualisht jam në Ukrainën Qendrore, afër lumit Dnieper. Këtu aktualisht nuk ka incidente ushtarake, por situata është e tensionuar dhe njerëzit nuk e prisnin që të ndodhte një gjë e tillë. U dëgjuan disa raketa duke fluturuar, por ne nuk pamë asnjë avion, asnjë helikopter. Është paqësore këtu për momentin”, tha Daniel Lazareviq.

Sipas tij, në pjesën ku ndodhet tani nuk ka probleme me furnizimin nëpër dyqane ushqimore.

Për mundësinë e kthimit me familjen në Maqedoni, ai thotë se deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga MPJ e Maqedonisë.

“Para dy ditësh kam vendosur kontakt me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, sepse kam dy fëmijë. Vajza është dy vjeç, djali nëntë. Nëse ka kontigjent për tërheqje, më kanë thënë se do të më telefonojnë, por ka 30 orë që nuk kam përgjigje”.

“Lufta nuk është e bukur për askënd, dihet se kush përfiton. Këtë nuk ia uroj askujt. Njerëzit e zakonshëm humbasin jetën e djemve dhe vajzave të tyre. Unë do të fajësoja politikanët e të dyja palëve. Nëse duan, mund të ulen dhe të bisedojnë. Ata janë kokë të nxehtë dhe populli do të vuajë”, tha Lazareviq./Telegrafi/