Site icon Telegrafi

Shtetasi kosovar ngre padi në Gjykatën Kushtetuese Gjermane

Një kosovar i sëmurë rëndë me zemër i mbështetur nga Shoqata për të Drejtat e Lirisë ngre padi para Gjykatës Kushtetuese Gjermane për të drejtën për trajtim shëndetësor. Rruga e mundimeve filloi me skadimin e një afati.

Kush jeton pa letra në Gjermani duhet ndoshta të lutet që të mos sëmuret. Sepse personat pa të drejtë të rregullt qëndrimi në Gjermani nuk e kanë të lehtë të shkojnë në një klinikë për vizitë. Në rast sëmundjeje ata kanë detyrimin të shtrojnë një kërkesë për trajtim shëndetësor tek Zyra Sociale. Por për shkak se Zyra Sociale ligjërisht duhet që të njoftojë personat pa letra tek policia ose Zyra e të Huajve, personat e prekur kërcënohen nga dëbimi. Pikërisht kjo praktikë i bën shumë persona pa letra që të mos kërkojnë ndihmën mjekësore në rast nevoje. Detyrimi për lajmërimin tek Zyra e të Huajve i personit ilegal nga të gjitha autoritetet është vendosur në vitin 1990 në Gjermani. Në vitin 2011 është bërë një përjashtim për shkollat dhe kopshtet. Vetëm në raste urgjence apo në fundjavë mjekët dhe klinikat mund të dërgojnë llogaritë në Zyrën Sociale pa bërë më parë lajmërimin.

Detyrimi për lajmërim për personat pa letra duhet shpallur “antikushtetues”

Shoqata për të Drejtat e Lirisë, GFF së bashku me organizatën “Mjekët e Botës – Ärzte der Welt në Gjermani kërkon që kësaj praktike të njohur në të gjithë Europën t’i jepet fund. Prandaj të enjten (15.09) ato kanë dorëzuar padinë me kërkesën për trajtim të përshpejtuar në Gjykatën Kushtetuese Gjermane. Synimi është që të arrihet zbatimi i së drejtës për trajtim shëndetësor edhe për njerëzit pa letra në vend. “Çdo njeri, pavarësisht prejardhjes dhe statusit të qëndrimit ka të drejtë për trajtim shëndetësor. Detyrimi shtetëror për të bëjë lajmërimin ua refuzon faktikisht trajtimin mjekësor njerëzve të sëmurë në mënyrë akute, si paditësi ynë”, është shprehur Sarah Lincoln, juriste dhe koordinatore për proceset gjyqësore e GFF.

Për Deutsche Wellen Lincoln thekson se “GFF e mbështet paditësin të luftojë për të drejtën e tij për trajtim shëndetësor. Për ne është e qartë, që çdo njeri në Gjermani ka të drejtë për trajtimin bazë shëndetësor, pavarësisht lejes së qëndrimit. Kjo është pjesë e garantimit të dinjitetit njerëzor dhe kjo vlen për të gjithë pa kushte.” Lincoln thekson, se ka ardhur koha që të jepet një vendim orientues bazë që ta shpallë si antikushtetues detyrimin për lajmërim.

Wellen Lincoln

Pse shkoi kaq larg historia e qytetarit nga Kosova i ardhur në vitin 1993?

Fillesa e padisë të ngritur nga dy organizatat ka qenë historia e një qytetari nga Kosova që jeton ilegalisht në Gjermani (i cili nuk do të përmendet me emër), aktualisht i sëmurë rëndë me zemër. Kosovari erdhi në vitin 1993 për herë të parë në Gjermani, ku punoi për një kohë të caktuar në ndërtimtari. Pas një martese që përfundoi në divorc, ai do kishte pasur të drejtë për të marrë madje edhe nënshtetësinë gjermane, por duket se një gabim burokratik i ka hapur telashe të mëdha qytetarit nga Kosova. Ai e humbi rastin të zgjasë në kohën e duhur lejen e qëndrimit, po ashtu nuk ia bëri me dije Zyrës së Të Huajve një ndërrim adrese, sipas gazetës gjermane “taz” që i kushton vëmendje historisë së kosovarit me artikullin “Frika nga vizita tek mjeku”.

Këtu filloi edhe historia e peripecive të tij. Papritur kosovari ishte pa leje qëndrimi dhe si pasojë në vitin 2017 u dëbua nga Gjermania. Ai rikthehet sërish më vonë në Gjermani dhe shtron kërkesën për azil, e cila u refuzua. Nga kjo kohë ai jeton dhe punon ilegalisht në vend.

Rruga e mundimeve nuk mori fund me kaq. Vitin e kaluar ai pësoi një infarkt në zemër dhe u desh të operohej me urgjencë. Duket se nevojitet edhe një operacion i dytë për bypas, e ai vetë nuk ka kursime që të paguajë një operacion të tillë të shtrenjtë. Për këtë trajtim mjekësor, atij i duhet drita e gjelbër nga Zyra Sociale e Frankfurtit mbi Main ku qytetari nga Kosova është i regjistruar. Por kjo zyrë duhet që sipas ligjit të bëjë lajmërimin te tek Zyra e të Huajve, gjë që do shkaktonte dëbimin e tij.

Pse u ngrit padia në Gjykatën Kushtetuese?

Frika nga lajmërimi që bëhet të Zyra e Të Huajve mund t’i kishte kushtuar jetën kosovarit. Pa këtë detyrim për lajmërim, do kisha shkuar më herët tek mjeku për të sqaruar dhimbjet që kisha në gjoks, thotë ai. “Unë ngre padi që të mund të trajtohem më tej nga ana mjekësore dhe që të në ardhmen askush të mos përjashtohet nga trajtimi mjekësor”, sipas dpa.

Për Deutsche Wellen, Sarah Lincoln shpjegon pse vendosën të paraqiteshin me padi deri në Gjykatën Kushtetuese. “Ne së bashku me paditësin kemi çuar çështjen për trajtim të përshpejtuar në gjykatat administrative, por kemi dështuar. Gjykatat nuk janë marrë aspak me situatën e ndjeshme shëndetësore të tij  dhe të drejtën për trajtim shëndetësor. Tani na mbetet rruga drejt Gjykatës Federale Kushtetuese.” Dy gjykata të landit Hessen e kishin refuzuar më parë kërkesën e kosovarit për të trajtim të përshpejtuar të padisë, me arsyetimin e mungesës së adresës. Por për shkak se gjykatat menjëherë njoftojnë Zyrën e Të Huajve, ai nuk ka pasur shans tjetër veç të heshtë për adresën e tij.

Për Janina Gach, referente e përfaqësimit të interesave tek organizata “Ärzte der ëelt” ky nuk është rasti i vetëm. “Ne shohim çdo javë njerëz pa status të rregullt qëndrimi në qendrat tona mjekësore. Ata janë fqinjë, klientë, punëtorë shërbimesh, po që nuk shkojnë dot në një klinikë të rregullt. Sipas Gach “Gjermania ka detyrimin e së drejtës ndërkombëtare që t’u mundësojë të gjithë njerëzve një qasje pa diskriminim në kujdesin shëndetësor.” E kjo nuk duhet të mohohet për shkak politike të migracionit.

A ka shanse padia në Gjykatën Kushtetuese?

Me padinë e ngritur qytetari kosovar ngrihet kundër paragrafit 87 të ligjit për qëndrimin në Gjermani. Detyrimi për lajmërimin tek Zyra e të Huajve shkel të drejtën bazë për “minimumin ekzistencial”, sipas organizatave që mbështesin padinë. Për Shoqatën për të Drejtat e Lirisë, GFF padia ka shanse për sukses. Që në vitin 2012 Gjykata Kushtetuese ka vendosur që “dinjiteti i njeriut nuk mund të relativizohet nga politika e migracionit”.

E mundur është edhe një zgjidhje politike. Në marrëveshjen e koalicionit qeverisës në Gjermani thuhet se “detyrimin për lajmërim të njerëzve pa letra duam ta rishikojmë, me qëllim që të sëmurët të mos hezitojnë të shkojnë të trajtohen.” Por deri më tani nuk ka asnjë projektligj të paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme. /Dw/Telegrafi/

Exit mobile version