Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, e ka cilësuar si “propozim skandaloz” atë të kryeministrit Albin Kurti lidhur me shtesat e rrezikshmërisë për policët, të cilat i prezantoi në mbledhjen e Qeverisë të premten.
Qalaj – deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se këto shtesa janë shumë më të vogla se sa në të kaluarën.
“Paramendoni shtesat për rrezikshmëri për policin patrullues nga 140 euro sa i kanë marrë në qeverisjet e kaluara, tani 60 euro me propozimin e Qeverisë Kurti, pra 80 euro më pak”, ka shkruar ai në Facebook.
“Shtesat për rrezikshmëri për policët hetues nga 180 euro sa i kanë marrë në qeverisjet e kaluara, tani 75 euro me propozimin e Qeverisë Kurti, pra 105 euro më pak”.
Qalaj tutje ka thënë se shtesat për rrezikshmëri për policët kufitarë nga 140 euro sa i kanë marrë në qeverisjet e kaluara, tani 100 euro me propozimin e Qeverisë Kurti, pra 40 euro më pak.
“Shtesat për rrezikshmëri për policët e Njësisë Speciale Operative nga 200 euro sa i kanë marrë në qeverisjet e kaluara, tani 120 euro me propozimin e Qeverisë Kurti, pra 80 euro më pak”.
“Shtesat për rrezikshmëri për Policët e Njësisë Speciale intervenuese (NJSI) nga 215 euro sa i kanë marrë në qeverisjet e kaluara, tani 150 me propozimin e Qeverisë Kurti, pra 65 euro më pak”.
“Shtesat për rrezikshmëri për policët që punojnë në administratë, për Komandantët e Stacioneve dhe Eprorët tjerë nga 105 euro sa i kanë marrë në qeverisjet e kaluara, tani zero me propozimin e Qeverisë Kurti, pra 105 më pak”, ka shkruar ish-drejtori i policisë.
Sipas tij, ky propozim është i papranueshëm e skandaloz. “Ky propozim është një mashtrim i radhës i Qeverisë Kurti”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/