“Western White House” është rivendosur në shitje, kësaj here me një ulje të konsiderueshme të çmimit.
Sipas Business Insider, përcjell Telegrafi, pronësia me sipërfaqe prej 5.5 akra, e njohur edhe si La Casa Pacifica, është vënë në shitje për 57.5 milionë dollarë.
Siç bëhet e ditur, bëhet fjalë për pronën që u përdor nga ish presidenti amerikan Richard Nixon për tubimet shoqërore dhe politike.
Prona, e njohur edhe si La Casa Pacifica – është e vendosur në San Clemente, Kaliforni. Qyteti i Kalifornisë është i vendosur në mes të Los Angeles dhe San Diego.
Shtëpia kryesore u ndërtua në vitin 1927; arkitektura e saj përshkruhet si “Rilindja koloniale spanjolle”.
Siç thuhet tutje, rezidenca u ble nga Presidenti Nixon në vitin 1969.
Ajo kishte pritur vizitorë të rëndësishëm. Ish-Presidenti Ronald Reagan – atëherë guvernatori i Kalifornisë – dhe ish-Zonja e Parë Nancy Reagan ishin vizitorë të shpeshtë.
Gjithashtu kishte edhe të tjerë vizitorë nga e gjithë bota, përfshirë kryeministrin japonez Eisaku Sato, presidentin e Vietnamit të Jugut, Nguyen Van Thieu, si dhe ish-kreun sovjetik Leonid I. Brezhnev.
Përveç tjerash, rezidenca u përdor si një vend takimi për shumë ngjarje të rëndësishme presidenciale. Madje, përveç takimeve të stafit, presidenti Nixon priti disa konferenca për shtyp mbi pronën.
Megjithëse shpesh përdorej për punët e qeverisë, ajo ishte gjithashtu vend i vizituar edhe për yje të famshëm si Frank Sinatra dhe John Wayne.
Rreth një dekadë pas dorëheqjes së presidentit Nixon në vitin 1974, ai shiti pronën tek themeluesi i Allerganit, Gavin Herbert, i cili e ka zotëruar pronën që atëherë.
Herbert e vendosi për herë të parë në shitje atë katër vjet më parë me një çmim prej 75 milionë dollarësh.
Gjithsesi, bëhet e ditur se rezidenca ka pësuar një “restaurim modern” që kur Herbert fitoi pasurinë në vitet 1980. /Telegrafi/