Ishte shitur në vitin 2015, por fshehtësia e identiteti i blerësit të saj qe ruajtur me fanatizëm.
Publiku i gjerë vetëm tani ka mundur ta mësojë se cili është njeriu që bleu dy vjet më parë shtëpinë më të shtrenjtë të botës: pronari i pallatit-kështjellë të ndodhur në perëndim të Parisit, një godinë e ndërtuar së fundi, por që i ngjason një strukture të shekullit të 17 vetëm se të pajisur me një pishinë luksi e kinema, është princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman.
Pallati mësohet të ketë kushtuar 300 milionë dollarë. Ai ishte më i fundit i një serie blerjesh të këtij niveli të faturuara nismëtarit të fushatës së gjerë antikorrupsion dhe përpjekjeve për modernimin e monarkisë së Gjirit Persik. Fshehja e pronësisë u tentua me të gjitha mënyrat, përfshirë përdorimin e dy të ashtuquajturave “kompani guacka”, megjithatë një raport i “New York Times” e konfirmoi se kështjella e ditëve tona i takon pikërisht princit 32-vjeçar.
Autoritetet saudite nuk kanë bërë deri tani asnjë koment mbi shkrimin e gazetës prestigjoze amerikane, që vjen në vazhdën e një investigimi të faqes franceze “Mediapart” në muajin korrik, që e identifikonte gjithashtu blerësin misterioz si Mohammed bin Salmanin.
Në kohën e shitjes së saj, Chateau Luigji i 14, shatërvanët e së cilës mund të kontrollohen në distancë me iPhone, theu rekordet si shtëpia më e shtrenjtë e globit, transmeton tch. Nga jashtë ajo duket si një kështjellë e shekullit të 17, e ndërtuar në stilin e pallatit të Versajës së ndodhur aty pranë, por në fakt është një ndërtesë e re, fasada antike e së cilës fsheh veç të tjerash edhe një dhomë transparente nënujore, kopshte të mrekullueshme, interiere të zbukuruara me flori dhe tavanë të pikuruar me afreske.