Telegrafi

Shtëpia e Bardhë thotë se Biden “respekton” vendimin e Pelosit për të vizituar Tajvanin

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti Joe Biden respekton vendimin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi për të udhëtuar në Tajvan, edhe pasi udhëheqësi amerikan fillimisht tha se Pentagoni nuk ishte dakord me udhëtimin.

I pyetur në lidhje me pikëpamjet e presidentit për vizitën e Pelosit, Koordinatori i Komunikimeve Strategjike të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby u tha gazetarëve të martën se Biden “respekton vendimin e Kryetares për të udhëtuar në Tajvan”, shkruan Newsweek, përcjell Telegrafi.

“Ai e respekton vendimin e saj për të shkuar dhe ai beson se është plotësisht në përputhje me politikën amerikane që ka dekada të tëra”, tha Kirby.

Udhëtimi i Pelosit shënon udhëtimin e parë të tillë nga një kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në 25 vjet.

Lexo po ashtu Flightradar: Fluturimi i Nancy Pelosit për në Tajvan ishte fluturimi më i ndjekur ndonjëherë

Raportet e udhëtimit të saj u zbuluan fillimisht në sferën publike përmes një artikulli të Financial Times që citonte burime të njohura me këtë çështje.

Zyra e Pelosit nuk e konfirmoi vizitën derisa ajo mbërriti në Tajvan të martën.

Administrata ka shmangur kryesisht diskutimin nëse e miratoi apo jo udhëtimin e Pelosit, i cili ka shërbyer për të rritur tensionet me Kinën.

Pekini e ka quajtur udhëtimin një shkelje të sovranitetit kinez, pasi Kina pretendon se ishulli është i veti.

Në një përgjigje të dukshme ndaj vizitës së Pelosit, Pekini ka njoftuar të enjten një seri stërvitjesh ushtarake në ujërat përreth Tajvanit. /Telegrafi/