Site icon Telegrafi

Shtëpia Botuese “Luarasi”: Padia kundër ministres Nagavci për shpifje është gati

Shtëpia Botuese “Luarasi” ka reaguar pas debatit të krijuar në opinion për furnizimin e nxënësve me tekste shkollore pas propozimit të Ministrisë së Arsimit që librat të blihen nga prindërit duke i rimbursuar ato me arsyetimin se shtëpitë botuese kanë ofruar çmime të larta.

“Laurasi” ka shkaruar në Facebook se “Nagavci gënjeu” dhe po ashtu paralajmëroi padi për ministren e Arsimit.

Sipas kësaj shtëpie botuese, dështimi është ministrja Arbërie Nagavci me kabinetin e saj dhe sipas tyre për ta mbuluar dështimin shpalli një ide që e degradon procesin sipas tyre.

“Ministrja Nagavci gënjeu. Dështimi i plotë në procesin e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore ka vetëm një emër dhe ai është ministrja Nagavci me kabinetin e saj. Për ta mbuluar këtë dështim shpalli një ide që procesin e degradon në anarki dhe u shërbye me gënjeshtra. Dy gënjeshtrat që më së lehti janë të provueshme janë: gënjeshtra për çmimet e Shtëpisë Botuese “Luarasi” dhe gënjeshtra se lista e teksteve të përzgjedhura nga shkollat është publike”, thuhet në reagim.

Lexo po ashtu Blerja e teksteve shkollore, MASHTI po shqyrton mundësinë që paratë t’iu barten në llogaritë e prindërve

Ministrja Nagavci, në konferencën për media, më 21.08.2023, rreth çmimit të tekstit Matematika 3 të Shtëpisë Botuese “Luarasi” tha: “Një rast, të cilin veç se e kemi adresuar te organet kompetente të hetuesisë, kur i njëjti tekst që një vit është shitur diku prej 3 eurove, në vitin vijues na është shitur diku mbi 12 euro”.

“Ndërsa, e vërteta është si vijon. Shtëpia Botuese “Luarasi”, në vitin 2021 ka ofertuar me çmimin 6.7 euro për tekstin Matematika 3, kurse me të njëjtin tekst, në vitin 2022 ka ofertuar me çmimin 12 euro. Pra, jo me 3 euro në vitin 2021 dhe jo mbi 12 euro në vitin 2022. Këto çmime i ka pranuar dhe nënshkruar ministrja Nagavci. Shpjegimi i këtij ndryshim të çmimit qëndron në klimën ekonomike dhe në krahasimin me çmimet e teksteve tjera, por për këtë, në një rast tjetër”, thuhet me tej në reagim.

Po ashtu në reagimin e “Luarasi” thuhet se: “edhe dy gjëra sa i përket çmimeve. E para, ministrja vendos apo jo nënshkrimin në kontratë për blerje, prandaj nuk mund të denoncojë, madje është qesharake të tentojë të denoncojë dikë për çmimin e ofruar për shitje. E dyta, përrallat për çmimet e viteve të kaluara nuk mund ta mbulojnë dështimin e ministres Nagavci në procesin e këtij viti”.

Lexo po ashtu Shtëpia Botuese “Luarasi” përgënjeshtron Nagavcin: Nuk kemi aplikuar fare në tender

Më tej në reagim thuhet se vargu i shkeljeve ligjore nga ana e ministres Nagavci dhe kabinetit të saj, në procesin e përzgjedhjes dhe shpërndarjes së teksteve shkollore është shumë i gjatë.

“Të gjitha organet që merren me këtë proces janë në shkelje të ligjit dhe bëjnë shkelje të ligjit, sepse kështu dhe për këtë i ka subordinuar ministrja dhe kabineti i saj. Për këto shkelje në gjykata, nga Shtëpia Botuese Luarasi, tashmë janë dorëzuar mbi 10 padi. Ministrja Nagavci është kallëzuar penalisht me 8 vepra penale, kallëzim penal, i cili do të plotësohet edhe me dy vepra të tjera penale. Dhe tani, edhe padia kundër ministres Nagavci për shpifjen që e bëri lidhur me çmimet e Shtëpisë Botuese “Luarasi” është gati”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

Exit mobile version