Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Rita Ora, arriti majat e tregut britanik në vitin 2012, me publikimin e këngës së saj shumë të suksesshme “Hot Right Now”.
Kanë kaluar plot shtatë vite që nga realizimi i asaj kënge, për të cilën Rita thotë se ia ndryshoi jetën.
Ishte pikërisht kjo këngë në bashkëpunim me DJ Fresh, që i dha asaj njohje ndërkombëtare, duke i hapur dyert e realizimit edhe të shumë projekteve tjera të suksesshme.
Rita ka kujtuar ditëlindjen e shtatë të kësaj kënge, përmes një postimi të bërë në llogarinë e saj zyrtare në Instagram.
“7 vjet! Gëzuar ditëlindjen “Hot Right Now”. Kjo këngë ma ndryshoi jetën time dhe unë jam aq mirënjohëse për fansat e mi që ishin me mua që nga fillimi. Ju dua të gjithëve, mirënjohëse për ju dhe për të jetuar ëndrrën time çdo ditë. Shihemi në turne”, ka shkruar Rita Ora.
Në po të njëjtin vit, këngëtarja shqiptare lansoi albumin e saj të parë “ORA”, i cili e renditi edhe më lartë në top listat britanike dhe amerikane.
Por u deshën të kalojnë plot gjashtë vjet për të lansuar albumin e saj të radhës, “Phoenix” (2018), i cili erdhi pas një pritje të gjatë dhe problemeve të shumta me ish-kompaninë e saj diskografike, “Roc Nation”.
“Phoenix” mban titullin edhe turi i saj i koncerteve, të cilin do ta fillojë që nga muaji mars, së pari me Australinë, më pas me Azinë dhe Evropën. /Telegrafi/