Site icon Telegrafi

Shtatë të vdekur pasi automjeti me emigrantë ikën nga kontrolli i policisë dhe përplaset në një dyqan në Hungari

Shtatë emigrantë gjetën vdekjen dhe katër persona u lënduan kur një automjet me të cilin po udhëtonin u përplas me një shtëpi pasi iku nga një ndalesë e policisë, tha policia hungareze.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, aksidenti ndodhi pak para mesnatës të së hënës pranë qendrës së Morahalom, një qytet më pak se pesë milje nga kufiri i Hungarisë me Serbinë.

Oficerët po kontrollonin automjetin me targa serbe kur shoferi tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes me shpejtësi të madhe.

Siç raportohet, automjeti më vonë goditi një dyqan lulesh me shpejtësi të plotë dhe u përmbys, tha policia. Përplasja shkatërroi pjesërisht një mur.

Në vendngjarje humbën jetën 7 persona që udhëtonin në automjet, ndërsa katër të tjerë, mes tyre edhe drejtuesi i mjetit, u lënduan.

Policia arrestoi drejtuesin e mjetit dhe tha se do të nisë procedimin ndaj tij për trafikim njerëzor dhe shkaktim të një aksidenti masiv fatal.

Deri më tani, policia hungareze nuk ka dhënë ndonjë informacion mbi kombësinë, moshën apo gjininë e viktimave. /Telegrafi/

Exit mobile version