Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njofton se në bashkëpunim me Klinikën Infektive, Institutin Kombëtarë të Shëndetësisë Publike dhe Ministrinë e Shëndetësisë, në vazhdimësi po merren me menaxhimin, kujdesin dhe parandalimin e rasteve me fruth.
Në komunikatën e SHSKUK thuhet se “ekipet mjekësore të Klinikës Infektive janë nën kujdes 24 orë të vazhdueshëm për të ofruar shërbime shëndetësore për pacientët e paraqitur si të dyshuar me fruth dhe raste e tjera të konfirmuara nga laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”.
Sipas SHSKUK, furnizimi me barna për këtë klinikë është i mirë pas reagimit që ka bërë Ministria e Shëndetësisë, e cila poashtu, në koordinim të plotë me Bordin Drejtues, menaxhmentin e SHSKUK-së dhe Institutin Kombëtarë po përcjellë në vazhdimësi gjendjen.
“Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike në vazhdimësi përmes departamenteve përkatëse po merret me çështjen e vaksinimit dhe këshillimit të qytetarëve në terren përmes ekipit qendror dhe ekipeve tjera rajonale”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës, “rasti i sotëm pacienti 37 vjeçar, ka qenë rast që paraprakisht ishte diagnostikuar edhe me sëmundje të tjera dhe përkundër kujdesit intensiv të vazhdueshëm nga stafi i Klinikës Infektive dhe reanimimit në kujdesin intensiv të kësaj klinike, nuk kishte arritur të mbijetonte”. /Telegrafi/