Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njofton se inicimi për hetimin e rastit nga Prokuroria për 3 zyrtarët e IT-së, është bërë me kërkesë të ShSKUK-së, bazuar në raportin e Auditorit të Brendshëm të ShSKUK-së.
Në lidhje me ngritjen e aktakuzës për tre zyrtarë të IT-së, nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ShSKUK ka ofruar bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Kosovës të cilët i falënderon për bashkëpunim.
“ShSKUK mbetet e përkushtuar për të parandaluar dhe luftuar çdo keqpërdorim nga kushdo qoftë”.
Ndërkaq, sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.H., L.J. dhe Y.K., në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, më 22.12.2020, të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë (IT), në QKUK, në bashkëkryerje dhe në kundërshtim me Ligjin me Nr.04/L-042, për Prokurimin Publik, kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo tjetrin, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi dhe montimi i Sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”, kontratë e nënshkruar në mes të QKUK dhe operatorit ekonomik “Artech”, tërë aktivitetin e kryer në dhjetor të vitit 2020, përfshirë pranimin e mallit, ekzekutimin e punimeve dhe pranimin teknik të punimeve, kanë nënshkruar një raport fiktiv e që ka qenë në kundërshtim me gjendjen faktike, kështu duke i shkaktuar dëm material në shumën prej 104,751.00 euro, QKUK-së, transmeton Telegrafi.