Site icon Telegrafi

Shqyrtohen ndarjet buxhetore për vitin 2020

Foto: Arkiv

Komisioni për Buxhet dhe Transfere sot do të mbajë mbledhje, ndërsa do të shqyrtohen ndarjet buxhetore për vitin 2020.

Mbledhja e Komisionit mbahet në ora 11:30.

“Shqyrtimi në parim i Projektligjit nr.07/L-001 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020 është pikë e rendit të ditës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 10 mars ka miratuar Projektbuxhetin e vitit 2020 dhe e ka proceduar në Kuvend.

Të gjitha shpenzimet buxhetore për këtë vit do të jenë 2 miliardë e 357 milionë euro.

Ministri i Financave, Besnik Bislimi, ka treguar për sfidat që do t’i kenë edhe me borxhet që kanë mbetur nga qeveria e kaluar, si dhe kontratat e nënshkruara.

Ai ka shtuar se të hyrat buxhetore për këtë vit pritet të janë 2 miliardë e 20 milionë euro.

“Një rritje ekonomike e pritur për vitin 2020 në masën prej 4.2 për qind në terma real apo mbi 5 për qind në terma nominal. Mendoj se edhe buxheti për vitin 2020 ndikon në rritjen ekonomike gjë që presim gjatë muajve të ardhshëm. Të hyrat buxhetore për vitin 2020 pritet të janë 2 miliardë e 20 milionë euro që në krahasim me vitin 2019 del se ka një rritje prej 131 milionë euro në total, nga të hyrat tatimore”, ishte shprehur Bislimi.

Opozita ka pasur kritika ndaj qeverisë se është vonuar me procedimin e Projektligjit për buxhetin për vitin 2020 duke thënë se kjo vonesë po shkakton pasoja të mëdha për vendin.

Në mungesë të Ligjit të Buxhetit për vitin 2020, aktualisht vendi është duke shfrytëzuar 1/12 e buxhetit dhe është miratuar kërkesa e Qeverisë nga Kuvendi edhe për shfrytëzimin e këtij buxheti për muajin mars.

Buxheti për vitin e kaluar ishte rreth 2.3 miliardë euro, derisa në mandatin e Qeverisë së re është premtuar se Kosova do të ketë buxhet rreth 3 miliardë. /Telegrafi/

Exit mobile version