Site icon Telegrafi

Shqyrtohen mundësitë për punësimin e kosovarëve në Katar

Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 104 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) në Gjenevë në fillim të javës, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i Kosovës, Arban Abrashi, ka zhvilluar takime të shumta me udhëheqësit e kësaj organizatës si dhe me dhjetëra përfaqësues të shteteve te ndryshme.

Një ndër takimet e shumta të ministrit Abrashi, ishte edhe takimi me udhëheqësin e delegacionit të Odës së Katarit, Nasser Ahmed al-Meer.

Gjatë takimit, siç bëhet e ditur në një artikull të botuar në gazetën më të madhe të Katarit në gjuhën angleze “Gulf Times Newspaper”, është diskutuar për mundësitë e punësimit të punëtorëve nga Kosova në Katar.

“Al-Meer u takua me Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës, Arban Abrashi, ku diskutuan mundësinë e punësimit të punëtorëve nga Kosova në Katar”, thuhet në artikull, raporton Telegrafi.

Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 104 të ILO-s, ku morën pjesë rreth 4000 përfaqësues të Qeverive, Sindikatave dhe Punëdhënësve nga mbarë bota, delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga ministri Arban Abrashi është takuar me presidenten e Konferencës, sekretarin e përgjithshëm të Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave, drejtorin e Qendrës Trajnimeve të ILO-s, zyrtarë tjerë të ILO-s dhe dhjetëra përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse. /Telegrafi/

Exit mobile version