Site icon Telegrafi

Shqiptaro-amerikani i parë në Këshillin Bashkiak të New York-ut: Komuniteti shqiptaro-amerikan vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm për shqiptarët

Shqiptaro-amerikani i parë në Këshillin Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj, ndjehet i nderuar që përfaqëson dhe është në shërbim të komunitetin shqiptaro-amerikan në Këshillin Bashkiak të New Yorkut.

Gjonaj në një intervistë për Telegrafin ka shpalosur projektet, idetë dhe njëkohësisht edhe sfidat, më të cilat do të merret gjatë mandatit të tij, si anëtar i Këshillin Bashkiak të Qytetit të New York-ut.

“Fatmirësisht në Distriktin tim jetojnë shumë shqiptarë, të cilët kam kënaqësinë e dyfishtë t’i përfaqësoj, duke qenë përfaqësuesi i tyre në Këshillin Bashkiak, dhe duke qenë i vetmi shqiptaro- amerikan i zgjedhur”, theksoi në intervistë Gjonaj, duke shtuar se, komuniteti shqiptaro-amerikan në SHBA, është angazhuar edhe në shumë aspekte tjera, duke sakrifikuar bijtë dhe bijat e veta në Batalionin “Atlantiku”, si dhe lobimin dhe kontributin për pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Gjonaj në intervistë, ka përmendur faktin se komuniteti shqiptaro-amerikan, vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm, duke nxitur dialogun me udhëheqësit shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj, në çështje të reformave në drejtësi, sundimin e ligjit, integrimit në BE, stabilitetit rajonal dhe të tjera.

Megjithatë, nuk duhet harruar se Mark Gjonaj, ka thyer dy rekorde në historinë e shqiptarëve të Amerikës, ku rekordi i parë i tij ka qenë zgjedhja si anëtar i Asamblesë së New York-ut, praktikisht Kongresit të shtetit, dhe rekordi i dytë ai që Gjonaj tash është shqiptaro-amerikani i parë i zgjedhur në Këshillin Bashkiak të Qytetit të New York-ut.

Telegrafi: Z. Gjonaj, jeni shqiptari i parë në historinë e Amerikës si anëtar i Këshillit Bashkiak të NewYorkut, ku bashkë me shqiptarët e tjerë keni bërë histori. Çfarë do t’i ofroni komunitetit shqiptar në këtë pozitë që keni?

Mark Gjonaj: Së pari dua t’ju falënderoj për intervistën dhe mundësinë që më keni dhënë të lidhem me ju dhe lexuesit tuaj në Kosovë dhe më gjerë, dhe t’ju uroj  të gjithë shqiptareve gëzuar festat e fundvitit dhe qoftë një vit i ri i mbarë dhe i begatë. Për mua, është nder dhe privilegj të përfaqësoj komunitetin shqiptaro-amerikan në Këshillin Bashkiak të New Yorkut.

Përkrahja dhe mbështetja e shqiptarëve ka qenë shtysë për t’i përfaqësuar ata sa më denjësisht, gjë që e kam bërë që kur jam zgjedhur dhe shërbyer si Asamblist në Shtetin e New Yorkut, për pesë vjet.

Telegrafi: Cilat janë sfidat me të cilat do të përballeni në mandatin tuaj?

Mark Gjonaj: Pozita të cilën mbaj në Këshillin Bashkiak është e lidhur ngushtë me çështje të përfaqësimit lokal si në nivelin legjislativ dhe atë të buxhetit, dhe kanë të bëjnë me çdo aspekt të administrimit lokal si shkollat, policinë, parqet, rrugët, urat dhe me komunitetet e ndryshme që jetojnë në Distriktin që unë përfaqësoj.

Fatmirësisht në Distriktin tim jetojnë shumë shqiptarë, të cilët kam kënaqësinë e dyfishtë t’i përfaqësoj, duke qenë përfaqësuesi i tyre në Këshillin Bashkiak, dhe duke qenë i vetmi shqiptaro- amerikan i zgjedhur.

Telegrafi: Z. Gjonaj, mund të na përmendi disa projekte, që keni arritur t’i realizoni gjatë mandatit tuaj si Asamblist i shtetit të New Yorkut?

Mark Gjonaj: Nga koha kur isha Asamblist në shtetin e New Yorkut, kam siguruar fonde për projekte të rëndësishme për komunitetin Shqiptaro- Amerikan, ku kam siguruar  4,8 milionë dollarë për qendrën e komunitetit ne Bronx dhe 500,000 dollarë për sheshin Nënë Terezë, në një nga parqet e mëdha të Bronxit.

Telegrafi: Njëra ndër sfidat me të cilën do të përballeni, është edhe rrjetëzimi i shkollave shqipe në ShBA. Çfarë keni planifikuar në këtë drejtim, pasi që gjithmonë ekziston frika nga asimilimi gjeneratave të reja?

Mark Gjonaj: Ne funksionin tim si Këshilltar Bashkiak, kam pasur mundësi të jem shtysë dhe të mund të realizoj në fillimin e mësimit dy gjuhesh në shkollën PS 105, të Bronxit, nga klasa parashkollore duke vazhduar më tej më klasat më të larta. Ndërkohë, që më këtë çështje madhore për komunitetit, do të vazhdoj të angazhohem edhe më tutje.

Telegrafi:  Çfarë roli mund të luaj komunitetit shqiptaro-amerikan për të ndihmuar dhe sa janë të gatshëm për të bërë më shumë për atdheun, Kosovën, Shqipërinë dhe trojet etnike shqiptare?

Mark Gjonaj: Komuniteti shqiptar në SHBA ka qenë gjithnjë faktor në të gjitha lëvizjet e rëndësishme në historinë tonë, duke filluar me Vatrën e Nolit dhe Konicës, duke vazhduar me lëvizjet antikomuniste dhe rolin e Zërit të Amerikës, për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri.

Po ashtu, komuniteti shqiptar në SHBA, është angazhuar edhe në shumë aspekte tjera,  duke sakrifikuar bijtë dhe bijat e veta në Batalionin “Atlantiku”, lobimin dhe kontributin për pavarësinë e Kosovës e të tjera.

 

 

Telegrafi:  Çfarë roli mund të luaj komunitetit shqiptaro-amerikan për të ndihmuar dhe sa janë të gatshëm për të bërë më shumë për atdheun, Kosovën, Shqipërinë dhe trojet etnike shqiptare?

Mark Gjonaj: Komuniteti ynë vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm, duke nxitur dialogun me udhëheqësit shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj, në çështje të reformave në drejtësi, sundimin e ligjit, integrimit në BE, stabilitetit rajonal dhe të tjera.

Telegrafi: Si e shihni idenë e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për ndryshimin apo korrigjimin e kufijve?

Mark Gjonaj: Ne kemi kërkuar në vazhdimësi angazhimin e qeverive përkatëse për çështje kritike, si moslejimin e negociatave që lejojnë humbje, korrigjime apo shkëmbime të territoreve të Kosovës.

Telegrafi: Z. Gjonaj,  a është e gatshme diaspora shqiptare në ShBA, të investoj në vendin e origjinës, pasi që jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka?

Mark Gjonaj: Mbrojta dhe nxitja e investimeve të Diasporës është një çështje tjetër që është e lidhur ngushtë me komunitetin tonë. Gjithashtu, kemi kërkuar mbledhjen e një Konference Ndërkombëtare të udhëheqësve shqiptarë në New York, një mundësi kjo, për të avancuar agjendën tonë kombëtare dhe çështjet e tjera si Këshilli i Diasporës dhe Samitin e Diasporës.

Telegrafi:  Sa është i angazhuar komuniteti shqiptaro-amerikan në jetën politike, dhe sa jeni të kënaqur me përkrahjen dhe mbështetjen e tij?

Mark Gjonaj: Komuniteti shqiptar më ka dhënë një përkrahje të jashtëzakonshme dhe i jam pafundësisht falënderues që besojnë tek unë, më kane votuar dhe me kanë dhënë mbështetje financiare e politike.

Ka ardhur koha, që përfaqësimi ynë politik nga radhët e komunitetit, të jetë më se i madh, me qëllim që zëri dhe kërkesat tona, të dëgjohen në nivele të ndryshme të përfaqësimit, si nga ai lokal e deri në atë federal. Kemi ende shumë punë për të bërë, që nga iniciativat për t’u regjistruar për të votuar, integrimi në të gjitha fazat e politikbërjes dhe vendimmarrjes.

Telegrafi: Cili është mesazhi juaj për shqiptarët që jetojnë në SHBA?

Mark Gjonaj: Mesazhi im është një mesazh sa i vjetër, por që përkon dhe me kohët moderne. Të  luftojmë të jemi më të bashkuar-sepse vetëm të bashkuar e te koordinuar, mund të punojmë në të mirën e komunitetit tonë, në një plan të vogël dhe të mirën e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në planin me te madh.

Fuqizimi i individëve, komunitetit dhe i Diasporës në përgjithësi, është lidhje pazgjidhshmërisht  me ecjen përpara të të gjithë shqiptarëve.

Intervistoi: Lumturije BEKAJ

Exit mobile version