Një tunel 10 metra i thellë poshtë qelisë ku mbahej një i burgosur shqiptar dhe një pakistanez, besohet se ishte plani që Alket Rizai kishte nisur të vinte në jetë për arratisjen e tij nga burgu Dhomoku në Greqi.
Ndonëse nuk kanë ende të dhëna që e lidhin shqiptarin me hapjen e tunelit, autoritetet greke dyshojnë se të dënuarit që punonin për hapjen e tunelit ishin nën urdhrat e Alket Rizait.
Qelia e tij është në po të njëjtin seksion me atë ku po synohej tentativa për arratisje.
Kur duheshin edhe pak metra që tuneli të shihte dritën në anën e pasme të burgut, gardianët kanë zbuluar vendin ku kishin nisur gërmimet.
Plani është dekonspiruar nga një prej të burgosurve që spiunoi tek autoritetet hapjen e tunelit, poshtë pllakës së dushit, raporton Vizion Plus.
Të burgosurit e çmontonin dhe e vendosnin atë pa rënë në sytë e gardianëve. Ata pranuan se gjithçka e kishin kryer në bashkëpunim me njëri –tjetrin pa implikuar Rizain.
Shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm ka tentuar në të shkuarën të arratiset nga burgu, por përpjekjet e tij kanë dështuar.