Eduard Dervishi prej rreth 20 vitesh drejton sektorin për Marrëdhënie me Jashtë në Federatën Spanjolle të Futbollit dhe, në një lidhje me “Skype” me “Procesin Sportiv”, ai tregoi më shumë për ndryshimet që po ndodhin në kombëtaren spanjolle.
Epoka e Del Bosques perëndoi, ndërsa trajneri i ri Julen Lopetegui po kërkon të lejë shenjën e tij e cila duket që nga lista e lojtarëve që ftoi për sfidat ndaj Italisë e Shqipërisë.
“Spanja ka mbyllur një epokë dhe ardhja e trajnerit të ri është fillimi i një ere të re. Federata vendosi për këtë trajner sepse kishte punuar me ekipet zinxhirë, me U19, U21 dhe gjithë këtë revolucion do ta bënte një trajner i cili njihte të gjithë futbollistët, ose ata që do të ishin e ardhmja e kombëtares. Ndryshimet janë të dukshme, vetë fakti që janë 6 lojtarë nga Reali, jo se janë nga Reali, por nuk është më hegjemonia e Barcelonës, fillon një mënyrë tjetër e të luajturit pa hequr dorë nga tiki-taka, nga stili që e bëri Spanjën të suksesshme”, deklaroi Dervishi.
Dervishi është një shqiptar që u largua nga vendlindja në fund të viteve ’90-të, një kohë kur në Spanjë kishte një mendim tjetër për Shqipërinë dhe kombëtaren kuqezi, që tashmë, sipas Dervishit, kanë ndryshuar.
“Shqipëria nuk është më ajo e frikshmja, mos të harrojmë që në vitin 1991 Spanja nuk erdhi të luajë ndeshjen ndaj Shqipërisë. Nëse ju kujtohet një ditë para ndeshjes UEFA i ndaloi Spanjës të udhëtonte në Shqipëri për shkak të trazirave. Por tani Spanja do vijë në një Shqipëri të zhvilluar, me një futboll të zhvilluar në nivel kombëtareje. Këtu i është dedikuar një emision për kombëtaren shqiptare, janë bërë shumë shkrime që janë ndjekur shumë kështu që Spanja e sheh Shqipërinë si konkurrente, një ekip nga i cili edhe mund ta pësojë dhe një vend ku nuk ka asnjë problem. Kanë qenë kolegë që kanë inspektuar stadiumin dhe janë shumë të kënaqur, kishte një problem me fushën, por që e dinë se po nisen drejt një vendi europian dhe të vlerësuar maksimalisht. Kjo është java më e rëndësishme për kombëtaren spanjolle, do të luajmë me Italinë më 6 tetor dhe më pas në Shkodër”, vijoi Dervishi.
I pyetur nëse spanjollët kanë kërkuar nga ai informacione për kombëtaren, Dervishi tha se po, por jo për pjesën teknike, por më shumë për çështje organizative.
“Nga ana teknike jo shumë sepse i kanë të gjitha mundësitë të marrin të dhëna si luan Shqipëria, e kanë ndjekur gjatë ndeshjeve të Europianit, kanë dërguar vëzhgues në sfidat e kombëtares etj., por nga ana organizative kanë pyetur shumë. Donin të dinin pse luanin në Shkodër dhe jo në Tiranë. Pra, janë shumë të preokupuar që të gjitha të jenë në vendin e duhur”, tha zyrtari shqiptar i Federatës Spanjolle.
Nëse Shqipëria bën gol, a do të festojë Eduard Derishi? “S’do bërtas për asnjërën, por përbrenda do të dua të fitoj Spanja. Por, e di se do të jetë një ndeshje e vështirë”, tha Dervishi.
Por, si e shikojnë media spanjolle kombëtaren e De Biasit?
“Na shikojnë si ekip mbrojtës, Shqipëria ka një disiplinë mbrojtëse të jashtëzakonshme. Shtypi na shikon si ekip mbrojtës. Por është shumë efektiv kur del në sulm dhe në ato raste që i ofrohen. Spanjollët e kanë një shprehje të cilët edhe e kanë përdorur për ta përshkruar aftësinë e Shqipërisë për të shfrytëzuar rastet e që është se ata “nxjerrin naftë edhe aty ku s’ka”.
Iniesta është truri i skuadrës spanjolle dhe padyshim lojtari që ku skuadra jonë duhet të ketë një kujdes të veçantë. Dervishi mendon se në ditën e tij më të mirë, mesfushor i Barçës është i pandalshëm.
“Iniesta nuk markohet. Urojmë që të jetë në ditën më të mirë, ndërsa Shqipëria uron të kundërtën. Ai është një nga të fundit të gjeneratës së artë të futbollit spanjoll. Iniesta edhe atëherë kur nuk është në formë patjetër do të krijoj dy-tre raste goli”, tha ai.