Site icon Telegrafi

Shqiptarëve u duhet një Kanun

Shqiptarët kanë pasur kanune të rëndësishme, në veri e në jug, në treva të ndryshme që mbanin emra të shquar, si: Kanuni i Maleve, i Lekë Dukagjinit, i Skënderbeut, i Papa Zhulit të Labërisë etj., por duke qenë se ata i përkasin historisë, për disa njerëz “modernë” ky titull shkrimi mund të ngjajë provokues, për faktin se vendi ynë ka njëqind vjet që qeveriset me Kushtetutë.

Mirëpo, ka një arsye pse e sjellim në vëmendje Kanunin sot.

Nëse Kushtetuta është ligji themeltar i shtetit, Kanuni, para se ligj dokesor, ishte kod moral, thënë ndryshe, “ligji themeltar” jo i shtetit, por i shoqërisë dhe drejtpërsëdrejti i njeriut. Ai ishte institucion vetëveprues, pa pasur parti, qeveri, hipoteka, polici, gjykata që të merreshin me zbatimin e tij. Edhe pse i pashkruar në letër, Kanuni shqiptohej përditë në zonën e tij, nga i madh e i vogël, kurse Kushtetuta përmendet nga kreu i shtetit dhe Kryeministri sa herë duan t’i kujtojnë njëri-tjetrit “sinorët” e pushtetit të tyre. Vetëm atëherë ajo nuk shihet si një “njerkë” gjysmë e harruar, por si një perëndi që mund të vendosë rendin e shthurur të politikës.

Mjerisht, ky është morali i pushtetarëve të sotëm, Kushtetuta thirret kur iu nevojitet për të kaluar lumin, pastaj bëjnë prapë sipas “kanunit” të tyre prej autokratësh të përbetuar. Aq më tepër në këtë kohë, kur Kushtetutën e kanë lënë dhe pa mbrojtësen e saj, Gjykatën Kushtetuese.

Politika shqiptare është e papranueshme, në masën më të madhe, pikërisht se i mungon morali. Kurrë nuk mund të ndodhte në rrezen e Kanunit që burrat e tij të mos merreshin vesh mes tyre për problematikat e komunitetit, përfshi dhe ato më dramatiket, siç ishte gjakmarrja. Kështu, përballë kësaj plage të tmerrshme sociale, Kanuni kishte krijuar institucionin e pajtimit, ku një rol të madh pajtues luante dhe kleri me misionet e tij shëtitëse nëpër malësi. E para gjë që nuk lejohej në kuvend ishte fyerja e tjetrit, për të cilën reagonte i gjithë kuvendi njëzëri, kurse në Kuvendin e Shqipërisë, të gjithë e dinë se çfarë shamate banale vlon aty, sa herë deputetët mblidhen në seancat parlamentare apo komisione.

Po ashtu, nuk mund të imagjinohej që burrat e Kanunit, pleqtë e fshatrave, bajrakut dhe krahinave të “digjnin” mandatet e tyre dhe t’i thoshin popullit se kështu na u tek, e dimë ne se ç’bëjmë me “këmborën” që na keni varur në qafë, e tundim apo e flakim në ferrë. Jo, pleqtë e maleve tona, ani se nuk kishin kryer shkolla të larta në Perëndim, ishin shumë më parimorë e të përgjegjshëm për fatet e vendit se parlamentarët, shtetarët e partiakët e sotëm të dhënë pas famës dhe pasurimit të paligjshëm. Nga ana tjetër, nëse atyre pleqve do t’iu shkrepte në kokë marrëzia e braktisjes së kuvendit të popullit, a mund të kishte fuqi politike apo juridike (zakonore) të një njeriu, qoftë ky dhe princi, kapedani, që ta mbushte kuvendin e zbrazur të Shpalit me vegjëlinë, siç bënë pa iu dridhur qerpiku turravrap, Rama dhe Ruçi, në stilin bolshevik të Byrosë Politike?

Nëse do të ishte Kanuni në fuqi, do të rebelohej vetë konstitucioni i tij, pasi Paria ishte titull, ashtu si dhe Plaku dhe ato i zëvendësonin proceset historike e jo mekanizmat e politikave të ditës. Një Parlament o është me të zotët, o nuk është. Ai nuk mund të sajohet duke kërkuar nëpër listat e partive politike për të gjetur “mëkëmbësit” e deputetëve të ikur. Në logun e Kanunit kurrë nuk mund të bëheshin lojëra me hidh e prit, fjala vjen, që kreu i Gubernës t’i niste letra njëra pas tjetrës shoqit përballë, por do t’i kishte trokitur drejt e në derë, sikur dhe hasëm të ishin, me dorëzanë, e do të ishin marrë vesh.

Por, e thënë shqip, politika e sotme te ne është shtatë hile pa asnjë trimëri. Kemi mbetur vetëm duke lavdëruar burrërinë e udhëheqësve të Austrisë, Italisë, Greqisë etj., që dorëheqjen e kanë të parën gjë që bëjnë. Çfarë mund t’i thotë ky kast aktorësh të politikës së vjetër “rurale” shqiptare eurodeputetes së parë të kombësisë sonë, Arba Kokalarit? Asgjë. Ajo kurrë nuk do të ishte bërë ajo që u bë po qe se do të kishte ndjekur shkollën e tyre politike.

Kanuni, vullnetarisht, pa paguar asnjë kokërr leku për ligjbërësit e vetë, rroga të majme, dieta, udhëtime jashtë shtetit e gjer pensione të diferencuara si deputetët e sotëm, i ka parashikuar të gjitha paudhësitë e mundshme, një për një, nga me e vogla te më e madhja, deri te vija e ujit e fshatit, që të kalonte rrëzë vatrës e ti nuk mund ta prekje, jo më të të shkonte ndër mend ta merrje e të bëje me të hidrocentral për vete!? O tempora, o mores. Vija e ujit, udha e madhe, kurija, bjeshka e shumë vlera të tjera të bashkësisë ishin të paprekshme nga askush. As gjak mbi hasmin nuk mund të merrje në udhën e madhe, që ishte e të gjithëve. Kanuni nuk të lejonte që ta dëmtoje as si imazh një të huaj, si në rastin e z. Bochard, thjesht dhe vetëm se ai nuk është i “zakoneve të tua” dhe për më tepër e mbron statuti i mikut.

Një nga synimet e kanunarëve ka qenë që kryekreu i principatës, krahinës të mos kishte pushtet të pakufizuar, që ai të mos bëhej sundues në territorin e vetë. Dikur pushtetin në malësi e kishin pleqtë, por aty nga mesi i shekullit XIX, pushteti i tyre u përgjysmua, duke ia kaluar gjysmën kapedanit të Mirditës. Me këtë hap centralizues, shkruan studiuesi i njohur austriak i Kanunit, Valter Peinsipp, demokracia fshatare e pagoi mbi kokën e saj. Që kur është krijuar shteti shqiptar, krerët e tij e kanë pasur gjithnjë problem përqendrimin e pushtit në dorën e tyre, për të qenë kështu “dorë e fortë”. Habia është se kjo vazhdoi dhe në shoqërinë demokratike. Dhe që të jesh vetë dorë e fortë, do të thotë që përreth vetes të kesh ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë të “urtë”, që i sjell si të duash rreth vetes. Krejt ndryshe nga pleqësitë e dikurshme vetëqeverisëse. Burrat e Kanunit i rrinin fjalës së urtë “Mat shtatë herë e prit një herë”. Ata nuk mund të votonin, pa një pa dy, si burrat e Akademisë së Shkencave për zgjedhjen e kryetarit të tyre, duke çuar të pëlqyerin e qeverisë në institucionin kryesor të shkencës, çka nuk ka ndodhur as në vitin 1972, kur u krijua Akademia, që në krye të saj të vihej një partiak i regjur, me një karrierë 30-vjeçare si kryetar partie. Është dhe ky një nga rastet e kapjes së pushtetit nga mazhoranca e sotme.

Dëgjon ndërkohë, burra shteti (ky term në Shqipëri është mjaft i diskutueshëm) nga më të sprovuarit, pushteti i lartë i të cilëve ka kaluar nëpër kriza të rënda politiko-sociale, edhe për faj të tyre, të përmendin me lehtësi përplasjen civile të shqiptarëve nëpër studio televizive. Kanuni i fshikullonte gërgasësit e së keqes, pa pyetur nëse ata ishin krerë apo vegjëli. Përplasja civile mes shqiptarëve nuk ka ngjarë kurrë në kohën e largët të Kanunit, por ka ndodhur sa herë që shteti i dobët ka bërë të fortin me popullin e tij, ku tipik është viti 1921, kur qeveria e Tiranës ngrehu taborret dhe shkoi të shtronte Mirditën e “pabindur” në shtëpinë e saj, pa kërkuar për asnjë çast gjuhën e dialogut me krerët e rebeluar, jo pa shkak, të asaj krahine në zë, jo se përligjen dhe ata në atë “duel” të gabuar të historisë së shqiptarëve. E njëjta histori e përplasjes së qeverisë me popullin u përsërit tragjikisht, tashmë në përmasa kombëtare, pas Luftës së Dytë Botërore, kur qeveria u sul me pushkë, aeroplanë e “Toger Babë” drejt maleve, në luftë kundër “bandave të reaksionit”, një betejë e përgjakshme që zgjati afro një dhjetëvjeçar. Do ta analizojë historia këtë periudhë tejet kritike, kur të mos ketë më historianë të indoktrinuar, veçse një gjë mund të thuhet sot e gjithë ditën: “shteti” i Kanunit nuk lejoi trazira dhe përgjakje të tilla masive në tokën e tij!

Ja, pra, pse i hodhëm sytë nga Kanuni, ngaqë arena e sotme e politikës është pa busull, si në kohët parapolitike. Se pse kemi ardhur deri në këtë pikë na e thotë Gjergj Fishta, i cili në parathënien e Kanunit të Lekë Dukagjinit shkruante: “Nji çdo shoqni, nji çdo shtet quhet i lirë, jo aq se ka për krye një mis (udhëheqës) të vetin, sa për atë që ligjet i ka të preme mbas psikikës së vet, si dhe mbas nevojave të njimenta e reale të veta. Shqipnija, për katërqind e pesëdhetë vjet, ka qenë robneshë e Turkut, jo aq pse Sulltani i Turkisë ishte dhe sovrani i saj, sa për atë që ky Sulltan ligjet për këtë (Shqipninë) i pritte me hamende të vet… në interes të një kaste rrebele, që nëpër korrupcjon erdh tuj u formue brenda gjiut të saj”.

Exit mobile version