Për çdo gjë që ndodh në Maqedoni me përmasa të mëdha, shpallet një hero për të cilin pastaj thurren lavde dhe qytetarët e falemnderojnë për guximin dhe gatishmërinë e treguar.
I këtillë këtë herë ishte Abdylfetah Alimi i cili ka shpëtuar nga vdekja kryetarin e LR-PDSH-së, Ziadin Sela pas rrahjes së përgjakshme nga protestuesit e dhunshëm që u futën në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill.
Abdylfetah Alimi për Alsat-M ka thënë ”Ka qenë moment shumë i vështirë, moment i tmerrshëm. Më ka thirr një kolege, “Fetah eja se e kanë mbytur Selën. Para kësaj kohe, për disa minuta kam qenë i alivanosur mirëpo Zoti më ka dhënë fuqi që të vrapoj poshtë në katin e parë. Aty kur shkova te klubi i Deputetëve e kam parë z. Selën të shtirë dhe të përgjakur. Edhe unë kam menduar se është i vdekur. Aty kam rënë mbi trupin e z. Selës dhe atëherë kam vënë re se është duke marrë frymë. Ja kam marrë dorën dhe kam parë se ka puls. Aty kanë qenë dy huliganë të cilëve ju kam thënë “largohuni se është i vdekur” dhe ata kanë menduar se është kryer puna. Kur kemi hy aty, ai ishte në gjendje shumë të rëndë. Unë e shtriva në dysheme dhe më pyeti “kush je”. Atëherë i kam treguar se jam Fetai i sigurimit të parlamentit. I erdhi një shpresë shumë e madhe, shumë e fortë. Më tha “Fetah jam në besën tënde”. Në atë moment i thash “Ziadin, nëse më vrasin, ma bën hallall” ka rrëfyer Alimi për këtë ngjarje. /Telegrafi/