Me origjinë ilire ishin afro 30 perandorë romakë dhe së paku gjashtë të Bizantit. Madje, mendohet se edhe dinastia e maqedonasve, komnenëve, dukasëve, paleologëve dhe katakuzhinëve ishin të afërt me shqiptarët. Përmendet shpesh se si shqiptarët kanë dhënë kontribut të madh edhe në Perandorinë Otomane. Në këtë perandori numërohen jo pak se 39 kryeministra me origjinë shqiptare. Ndërsa, një shqiptare ishte Valide Sulltane – nëna e sulltan Mehmeti të III-të. Po ashtu, ishte një dinasti sundimtarësh në Egjipt, që nga fillimi i shekullit XIX e deri më 1953; katër Papë të Kishës Katolike ishin nga këto troje; e me origjinë shqiptare ishte edhe dinastia mbretërore e Serbisë: Karagjorgjët!
Por, ajo që dihet pak është se edhe me Moldavinë dhe Vllahinë (toka rumune) kanë sunduar princërit me origjinë shqiptare: familja Gjika. Që nga shekulli XVII-të, ata dhanë një seri e shkëlqyeshme të përfaqësuesve, të elitës që mbulonin një gamë të gjerë sociale. Nga kjo familje dolën vojvodë, dinjitarë, ministra, politikanë, diplomatë, ushtarakë dhe personalitete fetare, e deri tek shkencëtarët dhe personalitete të kulturës, dashamirë të arteve të bukura dhe të bukurisë. Vepruan jashtë atdheut, por nuk e harruan atë kurrë, sepse sa herë që ju dha rasti, treguan origjinën e tyre shqiptare pa asnjë ngurrim, shkruan Telegrafi.
Është fakt që Gjikajt kanë origjinë shqiptare dhe që shpesh dëgjohet të thuhet se kanë ardhur nga Maqedonia, më saktësisht nga Jugu i Shkupit, Velesi, që është quajtur edhe Köprülü – emër i themeluesit të një familjeje të madhe fisnike të vezirëve të mëdhenj osmanë (familja e Qyprillinjve që dhanë gjashtë vezirë dhe e dërguan Perandorinë Otomane deri në dyert e Vjenës), që në njëfarë mënyre i ndihmoi Gjikajt të ngjiteshin në rangjet e larta shoqërore.
Familja Gjika sundoi në Vllahi dhe Moldavi. Emrat e princërve janë si më poshtë:
Princërit e Vllahisë:
Gheorghe Gjika (1659-1660 dhe 1673-1678)
Grigore I Gjika (1660-1664 dhe 1672-1673)
Grigore II Gjika (1733-1735 dhe 1748-1752)
Matei Gjika (1752-1753)
Scarlat Gjika (1758-1761 dhe 1765-1766)
Alexandru Gjika (1766-1768)
Grigore III Gjika (1768-1769)
Grigore IV Gjika (1822-1828)
Alexandru II Gjika (1834-1842)
Princërit e Moldavisë:
Gheorghe Gjika (1658-1659, 1735-1741 dhe 1747-1748)
Matei Gjika (1753-1756)
Scarlat Gjika (1757-1758)
Grigore III Gjika (1764-1767 dhe 1774-1777)
Grigore V Gjika (1849-1853 dhe 1854-1856)
Nga kjo familje rrjedh edhe Elena Gjika (1828-1888, e njohur me pseudonimin Dora d’Istria), shkrimtare, publicistë dhe feministe, që u radhit në mesin e dhjetë 10 femrave më të ngritura intelektualisht në atë kohë, e që përkrahu Rilindjen Kombëtare Shqiptare, duke mbajtur lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj.
Po ashtu, nga kjo familje ishte Albert Gjika (1868-1928), pretendent i fronit të Shqipërisë, që mbështeti kauzën kombëtare shqiptare, e sidomos shoqatat shqiptare në Rumani. Motoja e tij ishte “Shqipëria për shqiptarët”, ndërsa ishte zgjedhur nga Komiteti i agjitacionit të Shqipërisë si “prijësi kryesor për pavarësinë e shqiptarëve”.
Studiuesi Ismail Ismaili ka analizuar veprimtarinë e Albert Gjikës dhe ka përkthyer shumë dokumente që ndërlidhen me emrin e tij dhe kauzën kombëtare shqiptare. Ai, në deklaratat e tij të kohës, thotë se shqiptarët janë pellazgë, pasardhës të maqedonasve të lashtë, të Filipit dhe Lekës të Madh. “Pesë vilajetet, i Shkodrës, Janinës, Kosovës, Manastirit dhe Selan-ikut përbëjnë mbretërinë e vjetër të Shqipërisë dhe shqiptarët nuk dëgjojnë fare për copëtimin e atdheut të tyre. Ata janë treguar kundërshtarë të të gjitha invadimeve sllave që kanë për qëllim vetëm bullgarizimin e territorit të tyre”, ka thënë ai, sipas studiuesit Ismaili, duke kundërshtuar politikat e fqinjëve që bëheshin gati të pushtonin trojet shqiptare.
“Vilajeti i Selanikut dhe i Manastirit janë të banuar me një popullatë shqiptare dhe nuk është e vërtetë se ekzistojnë 400 mijë sllavë që jetojnë aty dhe të cilët kanë aspirata që ta aneksojnë pjesën më të madhe të këtij territori. Në Greqi ka shumë shqiptarë, përafërsisht një milion, dhe ky fakt nuk e ndaloi Greqinë që ta shpallte pavarësinë. Unë personalisht i kam komanduar trupat për pavarësi të cilat u përforcuan edhe me dymbëdhjetë mijë vullnetarë evropianë; ne kemi gjithçka që na duhet për të luftuar dhe nuk kërkojnë dhe as më të voglën gjë për ta fituar lirinë tonë dhe nëse është nevoja do të vdesim të gjithë për të”, ka thënë po ashtu Gjika, transmeton Telegrafi, duke kundërshtuar gjithnjë statistikat e rrejshme të fqinjëve, për popullatën shqiptare dhe duke thënë se sllavët nuk janë gjë tjetër pos element nomad, pa pasuri, por që është pranuar për punë krahu.
Ismaili e ka gati një libër për Albert Gjikën. Telegrafi më poshtë ju sjell një letër të tij të botuar në mediat e kohës më 1904, ku shpreh pikëpamjet e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Kreu i lëvizjes për pavarësi paraqet politikën e tij
SHQIPËRIA E SHQIPTARËVE
Familja e tij është e njohur për vice guvernatorët e Principatave të Danubit
Zotëri kryeredaktor:
Më datën 14 shtator 1904, të gjitha gazetat e mëdha evropiane kanë botuar notën e më poshtme të dërguar nga Budapesti:
“Sferat diplomatike austro-hungareze e kanë komentuar zëshëm lajmin e ri të ardhur nga Vjena dhe Budapesti se Princi rumun, Albert Gjika, dëshiron të vihet në krye të lëvizjes autonomiste shqiptare.
Ky person dëfton se është me origjinë shqiptare; prandaj të parët e tij kanë qenë të emëruar gospodarë ose princa të Vllahisë, nga Porta e Lartë, pasi që rridhnin nga fisnikët fanaritë, çfarë do të thotë, grekë, të Konstatinopojës.
Edhe pse Princi Gjika deklaron tashmë se puna e tij do të jetë e lidhur me veprimtarinë e cila ka të bëjë me vendosjen e paqes, si dhe kjo veprimtari synon vendosjen e një rendi afatgjatë në rajonet perëndimore të Ballkanit, që shpesh janë të përfshira nga trazirat, ne më së paku mendojmë këtu se hyrja e një pretenduesi të ri në skenën e garave shqiptare, do të rrisë më tej konfuzionin dhe çrregullimet në këtë vend që është mjaft interesant për Austro-Hungarinë.
Si do që të jetë, sigurisht që është mjaft kureshtare, e besa edhe e rëndësishme, që të mësohet se mos princi Gjika është një ndihmës apo ndonjë konkurrues i diplomatit spanjoll, Don Juan d’Alandro Catrioti, për të cilin është folur shumë, para tri vjetësh dhe i cili kërkonte fronin e Shqipërisë si pasardhës i Skënderbeut të famshëm”.
Pasi që u njoftuam me këtë notë që tani, po ngarendi që t’ua jap detajet të cilat m’i keni kërkuar dhe ju lus t’i futni në gazetën tuaj të çmuar, por edhe korrigjimet e nevojshme të disa citimeve fyese për të kaluarën e të parëve të mi dhe ndriçimet që lidhen me misionin tim. Kam pasur nderin të jem i emëruar në krye të lëvizjes për pavarësi shqiptarë dhe njëherësh falënderoj patriotët të cilët patën besim në mua duke ma lënë kauzën e tyre të drejtë në duart e mia. Pas shpjegimit të çështjes së pretenduesve fantazistë dhe pas pranimit të deklaratës së shkruar të delegatëve shqiptarë, unë pranova këtë detyrë delikate e cila tashmë është e ligjshme. Familja princore e Gjikajve është shqiptare dhe Turqia e dërgoi për të sunduar në principatat e Moldo-Vllahisë në vitin 1856.
Lartmadhërisë së tij, princit Gregori III Gjika, iu pre koka më 1777, pasi kundërshtoi shitjen e Bukovinës Austrisë; kjo është një provë flagrante që tregon origjinën shqiptare të të parëve të mi, i cili nuk do të reagonte në këtë mënyrë sikur të ishte fanarit ose grek. Që atëherë, Gjikajt kanë sunduar për vite të tëra në principatat danubiane dhe administrimi i tyre i mençur, ishte njëra nga bazat e krijimit të mbretërisë së Rumanisë. Kështu, pasi që u bënë princër trashëgimtarë të Perandorisë së shenjt gjermane, princër të mbretërisë ruse, Gjikajt kanë të drejtë për titullin e altes serenissime.
Pas këtyre shpjegimeve, do të shtoja se programi im paqësor ka për qëllim të sjell paqen dhe pajtimin në mes shqiptarëve, kutzo-vllehve, bullgarëve, serbëve dhe grekëve, pa asnjë dallim feje.
“Shqipëria shqiptarëve”, kjo është deviza ime dhe të gjithë ata që jetojnë në territorin e Shqipërisë, janë fëmijë të saj. Asnjë aneksim i Shqipërisë nuk do të jetë i mundur. E tërë Evropa do të jetë fajtore për padrejtësinë dhe për krimin kundër njerëzve, nëse ajo do të dëshironte t’i favorizojë pretendimet e cilës do fuqi qoftë ajo. Shqiptarët kanë rezistuar më forcë kundër ekzekutimit të Traktatit të Berlinit të 1878-ës. Do të duhej të masakroheshin deri në të fundit, tani në vitin 1904, nëse dikush mësyn për ta pushtuar atdheun e tyre.
Populli shqiptar, i lirë dhe i pavarur do t’ua dhurojë kurorën më të denjëve dhe unë do të jem i pari që do të përkulet para të zgjedhurit të kombit.
Pranoni, Zotëri kryeredaktor, konsideratat e mia më të larta.
PRINCI ALBART GJIKA” (përktheu Ismail Ismaili), transmeton Telegrafi.
Princi Albert më vonë e kishte kthyer në shqip mbiemrin e tij, nga Ghica në Gjika, edhe pse sipas disa gazetarëve të kohës ai nuk e dinte asnjë fjalë shqip. Por, nuk ia doli të sundojë me shqiptarët. Më vonë, ai madje heq dorë nga kjo, siç dëshmohet nga letrat e studiuesit dhe mikut të madh të shqiptarëve, që po ashtu ishte pretendent për fronin shqiptar, Franz Nopcsa von Felső-Szilvás.
Albert Gjika vdiq më 1928, në moshën 60-vjeçare. Shumë historianë rumunë, synojnë ta mohojnë origjinën shqiptare të kësaj familje të fuqishme, e sidomos përkufizimin që e ka dhënë vetë Elena Gjika në veprën e saj, “Shqiptarët në Rumani”. Por, janë vetë anëtarët e kësaj familjeje që origjinën shqiptare nuk e kanë mohuar.
Pushteti i Gjikajve bie pas bashkimit të Vllahisë dhe Moldavisë, nën sundimtarin Alexander Ioan Cuza, që po ashtu dyshohet se ishte shqiptar, meqë origjina e tij përmendej të jetë nga fanariotët e Stambollit. /Telegrafi/