Telegrafi

Shqiptarët në SHBA urojnë formimin e Ushtrisë së Kosovës

Pasi vendimit të Kuvendit të Kosovës që të miratojë ligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë në Forca të Armatosura,  shqiptarët e Amerikës janë përfshirë në festën e krijimit të Ushtrisë së Kosovës.

Liderë, veprimtarë dhe përfaqësues të shoqatave dhe organizatave të ndryshme të komunitetit shqiptarë në këtë shtet, përpos që kanë uruar përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe qytetarët, për Ushtrinë më të re në botë, ata edhe kanë organizuar festë për të kremtuar  këtë ditë të madhe të formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Këshilli Shqiptar Amerikan, nga SHBA, i ka përshëndetur presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Hardinaj, kryeparlamentarit Kadri Veseli, ministrin Rrustem Berisha, dhe mbarë popullin e Kosovës me rastin e mandatimit në Kuvend, të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të shtetit të Kosovës.

“Kosova, shënoi sot një prej ditëve më të rëndësishme në histori, ditën e formimit të Ushtrisë së Kosovës, shkoi në vend gjaku dëshmorëve të rënë në luftën për liri, dhe së fundi sakrifica u kurorëzua me formimin e Ushtrisë së shtetit të Kosovës, po ashtu edhe ëndrra e gjithëve u bë realitet për të gjithë shqiptarët ku do që ndodhen. E gëzofsh Ushtrinë e Kosovë,! I përjetshëm dhe i paharruar gjaku i dëshmorëve! Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët!”, thuhet në mesazhin e urimit të Këshillit Shqiptar Amerikan.

Ndërkaq, asambleisti shqiptar në qytetit të New Yorkut, Mark Gjonaj, përmes një statusi në Facebook, është shprehur se pas pavarësisë së Kosovës, votimi nga parlamenti i Ushtrisë së Kosovës, është padyshim arritje monumentale, legjitime, ëndërr e popullit të Kosovës dhe hap i natyrshëm për një shtet që aleatin më të madh i ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

Kurse për shoqatën Atdhetare “Shpresa” nga SHBA, themelimi i Ushtrisë së Kosovës ishte një rrjedhë e asaj lufte që u bë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Padyshim se gëzim të veçantë, për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, kanë shprehur edhe ish-ushtarët e Batalionit “Atlantiku”.

Ish-ushtarët e Batalionit “Atlantiku” që veprojmë brenda organizatës “Shoqata Atlantiku – Atlantic Association”, ditën e krijimit të Ushtrisë se Kosovës, kanë festuar me një tubim simbolik nga vendi prej ku u nisën dy dekada më parë për lirinë e Kosovës, me uniformat me emblemën e UÇK-së, në Royal Regency – Yonkers Nju Jork.

Në një ceremoni festive “Urime Ushtrinë Kosovë!”, të shoqëruar me një koktej nga veprimtarët e Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe për nderë të kësaj dite historike për Kosovën dhe gjithë popullin shqiptarë, ata kanë kujtuar dëshmorët që kanë dhënë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Pas lirisë dhe pavarësisë, sipas aktivistit të çështjes kombëtare, Harry Bajraktari, përpjekjet e Kosovës, më në fund, po realizohen që edhe kjo ta ketë ushtrinë e vet, që do të ruajë me dinjitet dhe përgjegjësi kufijtë e saj në tërë territorin dhe njëkohësisht do të jetë forcë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.

Ai është shprehur i lumtur që Qeverisë së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, t’ju uroj miratimin e Projektligjit për transformimin e FSK në Forcë të Armatosur të Kosovës – në ushtri.

Po ashtu, edhe pronari shqiptar i restorantit “Çka Ka Qëllu”, Ramiz Kukaj, në New York, ka organizuar mbrëmje festive për nder të themelimit të Ushtrisë së Kosovës. Në një atmosferë festive, aty kanë marrë pjesë personalitete të shquara, veprimtarë, biznesmenë, qytetarë dhe përfaqësues të shoqatave dhe organizatave të ndryshme të komunitetit shqiptarë.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuan në lexim të dytë Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe Projektligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.  (L.Bekaj) /Telegrafi/