Site icon Telegrafi

Shqiptarët në SHBA e shënojnë përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës në nivelin më të lartë shtetëror

Përvjetori i Pavarësisë së Kosovës për herë të parë do të festohet në nivelin më të lartë shtetëror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Këtë e ka konfirmuar në emisionin “Magazina” të Radio Dukagjinit, aktivisti shqiptar në Amerikë, Naser Nika.

Ai tha se u kanë bërë ftesë shumë personaliteteve nga Kosova që të marrin pjesë në këtë organizim.

“Një dëshirë që e ke nuk është e vështirë ta realizosh. E kam propozuar vitin e kaluar, ma ofruan datën 12 shkurt, sepse më 17 është vikend… Kemi arritur nga përfundimi, senatorët dhe asamblistët do të jenë të gjithë, kemi ftuar edhe nga vendlindja, e kanë mirëpritur ftesën. Përparim Rama, Bedri Hamza, kryetari i Istogut, Deçanit dhe shumë të tjerë”, tha ai.

Nika pati kritika për institucionet e Kosovës dhe Ambasadën e saj në ShBA. Ai tha se as nga Qeveria e as nga Ambasada nuk kanë marrë asnjë ndihmë në organizimin e festës së pavarësisë.

Sipas tij, nuk është hera e parë që Ambasada e Kosovës në ShBA i injoron dhe se për këtë janë të zhgënjyer.

“Nuk është aktiviteti i parë që bëjë kemi pasur emërimin e rrugës Ismail Qemajli, kemi pasur edhe manifestimit të pavarësisë së Shqipërisë, gjithashtu kemi qenë të ftuar në një ditëlindje, ku i kemi ftuar institucionet e Kosovës. Asnjërën prej tyre, edhe as këtë sot që po bëjmë histori, deri sot nuk kemi përgjigje nga Ambasada. Vetëm kemi marrë mesazh që nuk munden me marrë pjesë. Ata duhet të ishin kryesorët, jemi të zhgënjyer. Qeverisë i kemi dërguar shkresa, nuk kemi marrë përgjigje”, tha ai.

Nika, po ashtu, theksoi se lobimi i Kosovës në ShBA është “zero”.

Exit mobile version