Shqiptarët ende nuk po mund të faktorizohen mjaftueshëm në Ballkan për shkak të mungesës së unitetit ndërmjet subjekteve politike, si dhe për shkak të bajraktarizmit të liderëve politikë në të gjitha trojet shqiptare.
Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike, të cilët shprehin shqetësimin e tyre për gjendjen e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës.
Sipas tyre, Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të jenë më aktive për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve që jetojnë jashtë këtyre dy shteteve.
Politologu, Belul Beqaj, ka thënë për “Zërin” se gjendja e shqiptarëve aktualisht është e paartikuluar qartë sa i përket mundësisë së faktorizimit të tyre në Ballkan.
Sipas tij, shansin që e patëm me shpërbërjen e sistemit socialist dhe rënies së Murit të Berlinit shqiptarët nuk janë duke e shfrytëzuar në përputhje me kontekstin e favorshëm të rrethanave.