Site icon Telegrafi

”Shqiptarët e Maqedonisë duhet t’i kthehen vetvetes, të mos mendojnë për Erdoganin”

Turqia tashmë njihet si aleate e shqiptarëve në Ballkan. Pavarësisht kontesteve historike që nga Perandoria Osmane, pushtuese apo sunduese, marrëdhëniet e shqiptarëve me Turqinë po zhvillohen dita-ditës e më shumë. Ekonomia luan një rol të rëndësishëm, konkretisht në favor të shqiptarëve. Për të thënë më tej, shqiptarët e frekuentojnë në shumë aspekte atë, qoftë në turizëm, biznese të ndryshme, pse jo edhe shkollimi. Një ndër faktorët më të theksuar është religjioni. Feja është ajo që i lidh shqiptarët me turqit në përgjithësi.

Telegrafi Maqedoni, në vijim parashtron çështje me filozof, historian, publicist, me të cilët hap debate se çfarë i lidh shqiptarët e Maqedonisë me Turqinë; Pse trumbetojnë kaq shumë shqiptarët ndaj çdo suksesi të Turqisë dhe pse ka aq shumë kundërshtime për zhvillimet atje, me theks të veçantë orientimeve politike të Erdoganit; Si shpjegohen debatet pro dhe kontra në media të shqiptarëve në Maqedoni dhe në çfarë politikash duhet të fokusohen shqiptarët këtu në Maqedoni.

Filozofi nga Maqedonia me veprimtari në Norvegji, Sead Zimeri për Telegrafin thotë se shqiptarët e Maqedonisë i lidh shumë gjëra, por ata duhet të zgjedhin lindjen apo perëndimin. Drejtimi evropian, sipas Zimerit, është kahje e vetme intelektuale.

‘Pavarësisht se si e kundrojmë sot rolin e Perandorisë Osmane në Ballkan, si pushtues apo si çlirimtar, mbetet fakt i pashlyeshëm historik se ne kemi zhvilluar një kulturë të përbashkët me turqit dhe të tjerët që i takonin kësaj perandorie sidomos ata që e paranuan atë dhe kontribuan për mirëqenien e saj madje edhe i dhanë asaj disa nga udhëheqësit më të shquar politik dhe intelektual. Ky aspekt historik është ende me ne: mjafton ta përmendim fenë, por edhe kulturën kulinare. Me Turqinë na lidhin shumë gjëra, madje për disa edhe familjare, por edhe ekonomike edhe kulturore’, shprehet Zimeri.

Për debatet pro dhe kontra Turqisë në mes shqiptarëve, Zimeri i lexon si mungesë e rrugës që ata duhet të vazhdojnë dhe se shqiptarët jetojnë në një udhëkryq kulturor të humbur dhe pa identitet të prerë civilizues. Sot shqiptarët e Maqedonisë janë të çarë brenda vetes: identiteti european dhe ai islamik parashtrohen si identitete të kundërta me njëri tjetrin, por kundërthënia nuk është e pakapërcyeshme. Atyre u kërkohet të zgjedhin njërën nga të dyja: të bëhemi evropian apo të mbetemi lindor. Por shqiptari është lindor përderisa ai ka një afinitet kulturor me popujt e lindjes dhe drejtimi evropian është kahje vetëm intelektuale. Turqia ka përkrahur kauzat shqiptare dhe kjo e bënë Turqinë një aleat të kombit shqiptar, thotë ndër të tjera filozofi nga Maqedonia.

Erdogani sipas Zimerit, është person krejt i parëndësishëm për debatet e brendshme që zhvillohen mes shqiptarëve. Ai thjesht qëndron si shënjues për dy perspektiva ideologjike të kundërta nga pikëvështrimet ideologjike të shqiptarëve. Prandaj edhe reagimet ekstreme janë normale në kontekstin shqiptar.

‘Kundërthënia pro apo kundër Erdoganit shpjegohet me kahjet politike dhe qytetërimore të brendshme. Siç e thash më lartë, diskursi pro-evropian, domethënë, që shqiptarët janë evropian njëjtë sikur popujt tjerë të Evropës, tingëllon fals. Gjithsesi ata janë evropian por është një evropianizëm dukshëm i dallueshëm nga evropianizmi i një austriaku apo gjermani. Si orientim politik orientimi evropian është gjithsesi tërheqës por realiteti i shqiptarëve aktual është se ata janë më afër Turqisë sesa Evropës. Mbështetja e parezervë e Erdoganit apo urrejtja e tij po ashtu e papërmbajtur flet për orientimet tona politike dhe kahjen që do ta marrë identiteti jonë në të ardhmen’, thekson Zimeri.

Të njëjtim mendim e ndanë edhe historiani Arben Llalla. Ai thotë se shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje gjuhësore apo vëllazëore me Turqinë.

‘Shqiptarët e Maqedonisë janë ndikuar pak si tifozë pro turk nga aspekti i tregtisë, shkollimit nëpër kolegjet turke, serialet e televizioneve dhe duke mos e njohur mirë historinë mendojnë se shpëtimi i tyre në rast lufte me Serbinë dhe Greqinë, është Turqia. Por, nëse mendojnë kështu gabojnë. Turqia e pas vitit 1967 e deri më sot është një mik i mirë i shqiptarëve, një partner strategjik i ynë në Ballkan. Turqia e pas vitit 1967 ka treguar me politikën e saj se mbron interesat e shqiptarëve në raste të caktuara përballë serbëve dhe grekëve, por kjo nuk do të thotë se turqit i kemi vëllezër si në aspektin e gjakut ashtu edhe në atë fetar. Pra, çdo gjë duhet të vlerësohet në bazë të kohës dhe rrethanave’, potencon historiani Llalla.

Mirë do të ishte që shqiptarët të mos merren fare me atë se çfarë ndodh brenda Turqisë apo të vendeve të tjera. Duhet të respektohet vullneti i popullit turk dhe nuk duhet të merret si tragjike humbja apo fitorja e palëve në referendum. Shqiptarët bëjnë mirë në Maqedoni të reagojnë për atë se çfarë ndodh ne vendin ku jetojnë, me partitë e tyre politike dhe ekonominë që po fundoset këtu, thotë Llalla për Telegrafin.

Në mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe Turqisë ekziston një lidhje kulturore, gjeostrategjike, politike dhe fetare, por sipas publicistit dhe hulumtuesit të konteksteve historike, Besir Bajrami, shqiptarët, kanë shumë çka i kërkojnë shtetit turk.

‘Shqiptarët kanë shumë çka t’i kërkojnë shtetit turk, duke filluar nga shkollat dhe institucionet tjera në gjuhën shqipe për shqiptarët e shpërngulur në Turqi (të cilët jane asimiluar në masë të madhe), një regjistrim të saktë të shqiptarëve të shpërngulur atje, një plan të përbashkët dy-shtetëror për kthimin e asaj popullsie në vendin prej nga janë shpërngulur; pastaj ndihmën me dokumenta arkivore të periudhës osmane për shqiptarët, veçanërisht për të argumentuar spastrimet etnike kundër shqiptarëve; marrëveshjet turko-sllave për këtë spastrim etnik; rezistencën dhe kryengritjet e shqiptareve kundër perandorisë osmane; më pas lejimin e ruajtjes së trashëgimisë hetite, dardane, like, e luviane në territorin e Turqisë së sotme nga shtetet shqiptare, apo edhe shfrytëzimin e pozitës gjeostrategjike të Turqisë edhe për bizneset dhe tregtarët shqiptarë, e deri te shfrytëzimi i Turqisë për të bërë presion në vendet muslimane për njohjen e pavarësisë së Kosovës’, thekson Bajrami.

Në lidhje me atë se në çfarë politikash duhet të fokusohen shqiptarët në Maqedoni, Zimeri thotë se, ata më pak në Erdoganin e më shumë në politikanët e tyre. Sidomos shqiptarët e Maqedonisë duhet me këmbëngulje të përqëndrohen në ndryshimin e statusit të tyre si popull jo plotësisht të barabartë me maqedonasit. Është skandal politik dhe dështim marramendës i shqiptarëve të Maqedonisë të jetojnë në shtetin e tyre por të huajësuar nga ai.

Shqiptarët duhet të kërkojnë të drejtat e tyre të barabarta me maqedonasit në çdo sferë të jetës. Dhe kjo duhet të bëhet pa kompromis. Por kjo nuk mund të bëhet pa bashkëpunim me dhe përkrahjen e maqedonasve. Me një fjalë, shqiptarët duhet të angazhohen për krijimin e një shteti modern në Maqedoni. /Telegrafi/

Exit mobile version