Site icon Telegrafi

Shqipëria zgjidhet anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Rama: Vendi merr një tjetër rol ndërkombëtar

Pas votimit me 123 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dje pasdite, Shqipëria u zgjodh anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut për periudhën 2024-2026.

Kryeministri i vendit Edi Rama u shpreh sot se, Shqipëria merr tashmë një tjetër rol ndërkombëtar.

“Shqipëria ulet në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB. Dje, 123 vende anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së votuan pro Shqipërisë, si një prej 15 vendeve që do të ulen në KDNJ nga 1 janari 2024 deri në 31 dhjetor 2026”, theksoi Rama, i cili publikoi edhe emrat e 15 anëtarëve të rinj të KEDNJ”, tha Rama.

15 anëtarët e rinj të KDNJ janë Shqipëria, Brazili, Bullgaria, Burundi, Kina, Bregu i Fildishtë, Kuba, Republika Domenikane, Franca, Gana, Indonezia, Japonia, Kuvajti, Malaui dhe Hollanda.

Në fjalën e tij dje, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani tha se kjo është një tjetër arritje e madhe e politikës së jashtme dhe diplomacisë shqiptare.

“Një tjetër arritje e madhe e politikës së jashtme dhe diplomacisë, një tjetër demonstrim i besimit nga shtetet anëtare të OKB-së për rolin e Shqipërisë në çështjet ndërkombëtare. Këtë herë plotësisht të përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut kudo dhe për të gjithë”, shkruan ministri Hasani në rrjetet sociale.

Objektivi kryesor i Shqipërisë, si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut do të jetë të punojë brenda Këshillit dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara për të garantuar respektimin universal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, për të gjithë individët pa diskriminuar askënd.

Shqipëria do të bashkëpunojë ngushtë me shtetet e tjera anëtare të OKB-së, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gjithë partnerët për zbatimin e këtyre angazhimeve.

Këshilli, i cili është i ngarkuar me përgjegjësinë për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e njeriut në nivel global, përbëhet nga 47 shtete anëtare të zgjedhura me votim të fshehtë nga shumica e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme. /Telegrafi/

Exit mobile version