Site icon Telegrafi

Shqipëria vit shumë të suksesshëm – Tirana fitoi titullin, ndërsa Teuta triumfoi në Kupë

Pandemia la Kombëtaren Shqiptare rreth nëntë muaj pa u grumbulluar fare, megjithatë kuqezinjtë ia dolën të bëjnë një përfaqësim dinjitoz në Ligën e Kombeve, pavarësisht problemeve të shumta.

Ndonëse në një grup me kundërshtarë modestë si Kazakistani, Bjellorusia dhe Lituania, kuqezinjtë e drejtuar nga Edi Reja ia dolën ta mbyllin edicionin e dytë të Ligën e Kombeve në vendin e parë në grup.

Tekniku italian u përball me telashe të shumta dhe listat që i fironin para çdo ndeshjeje për shkak të coronavirusit, megjithatë bëri të debutojnë disa emra të rinj si Broja, Doka, Laçi, Kallaku, Çepele, etj., të cilët treguan se janë gati të marrin më shumë përgjegjësi në të ardhmen.

Kuqezinjtë zhgënjyen në përballjen ndaj Lituanisë në “Air Albania”, ku humbën me rezultatin minimal 0-1, por gjithsesi ia dolën që të grumbullojnë 11 pikë dhe ta mbyllin të parët në grup.

Tirana rikthehet te titulli kampion pas 11 vitesh

Hera e fundit që skuadra me më shumë tituj në Shqipëri, kishte ngritur lart trofeun e kampionatit, datonte në vitin 2009, megjithatë kryeqytetasit ia dolën të triumfojnë në një vit jo fort normal për shkak të pandemisë.

Sezoni nisi shumë keq për bardheblutë, që fillimisht shkarkuan nga bankina trajnerin Ardian Mema dhe më pas u largua edhe pasuesi i tij Julian Ahmataj, ndërsa stoli iu besua ndihmës-trajnerit Emanuel Egbo.

Ky i fundit debutoi me një fitore në minutat shtesë ndaj Partizanit në derbi dhe më pas bardheblutë u treguan perfektë, duke rikuperuar distancën nga kreu dhe duke ia dalë të triumfojnë në fund.

Teuta fiton Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën

Ashtu si Tirana, edhe durrsakët nuk e nisën mirë sezonin, ndërsa në fund të 2019-ës Edi Martini mori vendi ne Blendi Shkëmbit në bankinë.

Shkodrani i ndryshoi fytyrën Teutës, duke e bërë një skuadër të pathyeshme dhe ia doli të fitojë finalen e Kupës me rezultatin 2-0.

Pak ditë më vonë durrsakët mposhtën sërish Tiranën, këtë herë me rezultatin 2-1 dhe ia dolën të ngrenë lart edhe trofeun e Superkupës. /Telegrafi/

Exit mobile version