Telegrafi

Shqipëria vë në funksion Pikën Kufitare të Lëvizshme përgjatë bregdetit, Rama: Lajm i mirë për mjetet lundruese turistike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar sot vënien në funksion të Pikës Kufitare të Lëvizshme përgjatë bregdetit.

Në një postim në Facebook, Rama ka bërë të ditur se pika e lëvizshme do të shërbejë për të gjithë shtetasit e huaj dhe shqiptarë që hyjnë në ujërat territoriale të Shqipërisë me mjete lundruese.

“Jo më o hajde ankorohu në port o nuk e shijon dot bregun e Shqipërisë me anije”, ka thënë Rama.

“Një lajm i mirë për mjetet lundruese turistike dhe ata që duan të shijojnë mrekullitë e vendit tonë nga deti. Tashmë ka nisur funksionimi i Pikës Kufitare të Lëvizshme përgjatë bregdetit. Nga kjo lehtësi e jashtëzakonshme përfitojnë të gjithë shtetasit e huaj dhe shqiptarë që hyjnë apo dalin nga ujërat tona me mjetet e tyre lundruese. Policia Kufitare mbërrin tek ata kudo në bregdet për të kryer procedurën përkatëse”, ka shtuar kryeministri.

Lajmin e bëri të ditur më herët ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi teksa ishte në Durrës në ceremoninë e dorëzimit të 5 varkave të reja të patrullimit dhe 2 pajisjeve të survejimit me teknologji të lartë për ruajtjen e kufirit, të financuara nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA. /Telegrafi/