Site icon Telegrafi

Shqipëria U-19 mposht Italinë, shkon në finale

Kombëtarja shqiptare futbollit U-19, ka arritur të sigurojë finalet e turneut “Roma Caput Mundi” që po zhvillohet në krahinën e Lacios.

Pas fitoreve 2-1 ndaj Maltës dhe 2-0 ndaj përfaqësueses së kolegjeve të Anglisë, kuqezinjtë e vegjël kanë regjistruar edhe fitoren e tretë sot duke mundur Kombëtaren italiane të diletantëve.

Ndryshe nga ndeshjet e mëparshme, Shqipëria nuk arriti të shënonte sot, ndaj takimi përfundoi pa gola dhe për të përcaktuar fituesin e sfidës mes dy ekipeve që vinin në këtë duel me pikë të plota, u desh gjuajtja e penalltive.

Lexo po ashtu Zbulohet çmimi i biletave për ndeshjen Itali - Shqipëri

Kuqezinjtë u treguan më të saktë, ndërsa portieri Jusufi neutralizoi dy gjuajtje të kundërshtarëve nga pika e bardhë, duke bërë që Shqipëria të fitonte ndeshjen dhe grupin me suksesin 4-2.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Erjon Bogdani shkojnë kësisoj në finalen e turneut, ashtu si një vit më parë, me shpresën që do të përmirësojnë bilancin.

Përballë do të kenë Rumaninë, ekipin i cili në finalen e vitit 2016, i shkaktoi një humbje të thellë 5-0 duke i hequr nga duart Kupën.

Exit mobile version