Kombëtarja e Shqipërisë e nis sot edicionin e ri në Ligën e Kombeve, ku kundërshtari i parë i yni është Islanda.
Nuk do të jetë sigurisht një rrugëtim i thjeshtë, por në vetëm katër ndeshje në Ligën e Kombeve, kuqezinjtë mund të presin biletën e Evropianit, pa u varur nga eliminatoret.
Detyra është e thjeshtë, të dalim të parët përballë Islandës dhe Izraelit.
Kuqezinjtë kërkojnë tri pikët e para në Ligën e Kombeve dhe nëse arrihen në një fushë të vështirë si ajo e Islandës atëherë gjithçka do të ishte më e lehtë në të ardhmen.
Edhe vendasit janë duke kërkuar ta nisin mbarë këtë kampanjë kualifikuese dhe kjo e bën ndeshjen shumë interesante.
Kjo do të jetë ndeshja e tetë që dy Kombëtaret e zhvillojnë mes vete, ku kurrë takimet nuk janë mbyllur në barazim.
Shqipëria ka tri fitore, derisa islandezët kanë triumfuar në katër ndeshje të tjera. /Telegrafi/