Telegrafi

Shqipëria pritet të rishikojë skemën e pensioneve pas daljes së rezultateve të regjistrimit të popullsisë

Ministri shqiptar i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete tha në analizën vjetore të ministrisë nën drejtimin e tij, se skema për pensionet do të rishikohet.

Ai tha se për të pasur një pasqyrim më të mirë, do të pritet dalja e rezultateve të Censit nga INSTAT.

Kjo sipas ministrit do të ofrojë një pamje më të qartë për zhvillimet demografike dhe për të vlerësuar skemën e pensioneve dhe të mbrojtjes sociale.

“Zhvillimet demografike janë ato që informojnë edhe qasjen që ne duhet të kemi tashmë për një vlerësim të dytë pas një dekade lidhur me skemën e pensioneve.

Duke pritur rezultatet e regjistrimit të popullsisë të INSTAT-it besoj se do kemi më tepër informacion për ta marrë parasysh sa i përket vlerësimit të skemës së pensioneve nga një anë por edhe të shtyllave të tjera të mbrojtjes sociale”, tha ministri Mete. /Telegrafi/