Telegrafi

Shqipëria përzgjedh filmin “Open Door/Derë e hapur” për të kandiduar për nominimet e ‘Oscars 2021’

Foto: Florenc Papas/Facebook

Shqipëria ka bërë përzgjedhjen e saj për dërgimin e filmit në konkursin e nominimeve për Çmimet e Akademisë 2021.

“Open Door/Derë e hapur” është filmi zyrtar i përzgjedhur që do të konkurrojë për t’u nominuar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar në gjuhë të huaj”.

Regjisor i këtij filmi është Florenc Papas, ndërsa në rolet kryesore luajnë: Luli Bitri dhe Jonida Vokshi.

Regjisori Florenc Papas (Foto: Florenc Papas/Facebook)

Në një artikull që tregon kandidatët për ‘Oscars’ të secilit vend, ScreenDaily shkruan: “Papas shënon një hyrje në ‘Oscars’ për vendin e tij me debutimin e tij në filmin artistik, të xhiruar në Shqipëri, Kosovë, Itali dhe Maqedoninë e Veriut në vitin 2018.

Lexo po ashtu Kosova niset me filmin "Exil" sivjet drejt nominimeve të 'Oscars', regjisori Morina flet për pritshmëritë dhe suksesin e gjertanishëm të filmit

“Open Door/Derë e hapur” trajton temën e një nëne të martuar shqiptare dhe motrës së saj shtatzënë që përpiqen të gjejnë një burrë për të luajtur rolin e burrit të motrës para se të takohen me babanë e tyre të rreptë dhe tradicional.

Kopertina e filmit “Open Door” (Foto: Florenc Papas/Facebook)

Filmi u shfaq premierë në konkursin kryesor të Festivalit të Filmit në Sarajevë dhe vizitoi shumë festivale ndërkombëtare.

Në një përmbledhje për “Open Door/Derë e hapur”, Screen Daily theksoi “emocione të forta…momente të vëzhguara bukur. Rezultati është një histori efektive, e thënë ekonomikisht e grave moderne që negociojnë fushën e minuar të një shoqërie thellësisht tradicionale”.

Në të njëjtën kohë, Cineuropa vlerësoi “konceptin e fortë” dhe “grafikat e shkëlqyera”. /Telegrafi/