Site icon Telegrafi

Shqipëria me numrin më të lartë të azilkërkuesve në BE, Meta: Problem kombëtar alarmues

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka ngritur sot shqetësimin e numrit të lartë të azilkërkesve shqiptar në vender e Bashkimit Evropian.

Në një postim në Facebook, Meta ka cituar të dhëna nga Agjencia e BE-së për Azilin që tregojnë se 11,246 shqiptarë kërkuan azil në një nga vendet e BE-së në 2021, duke e renditur Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor për numrin e aplikimeve.

“Largimi i të rinjve, si dhe i fuqisë intelektuale dhe punëtore më të kualifikuar, në mungesë të shpresës dhe perspektivës, është një problem kombëtar alarmues, që duhet të na bashkojë të gjithëve, duke e adresuar me përgjegjshmëri, me atdhetari dhe me profesionalizëm”, ka shtuar Meta.

Presidenti ka bërë thirrje për ndalje të shpopullimit duke “përmirësuar standardet e qeverisjes, të llogaridhënies demokratike dhe duke rritur përfaqësimin e të rinjve në vendimmarrje”.

“Të bashkojmë energjitë për të rikthyer shpresën dhe për t’i dhënë Shqipërisë drejtimin dhe perspektivën e merituar evropiane, që të gjithë e dëshirojmë!”, ka thënë Meta. /Telegrafi/

Exit mobile version