Telegrafi

Shqipëria nis përgatitjet për dy ndeshjet ‘finale’ ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe

Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht sot përgatitjet për dy ndeshjet ‘finale’ ndaj Moldavisë, më 17 nëntor e Ishujve Faroe më 20 nëntor.

Kuqezinjtë zhvilluan pasditen e sotme seancën e parë stërvitore. Kuqezinjtë kanë punuar fillimisht në palestër, ndërsa më pas kanë dalë në fushën e lojës, aty ku kanë zhvilluar stërvitjen e parë zyrtare.

Është bërë me dije se në drejtimin e trajnerit Sylvinho janë stërvitur 8 lojtarë, nga 18 që kanë mbërritur tashmë në grumbullim. Pjesa tjetër e lojtarëve janë lënë pushim nga trajneri për shkak të angazhitmit ditën e djeshme me klubet respektive në Europë. Në bashkëpunim me ekipin kombëtar U-21, kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore të përbashkët.

Kristjan Asllani i është nënshtruar ditën e sotme kontrolleve mjekësore dhe ka rezultuar që nuk ka probleme fizike. Gjithsesi lojtari ka zhvilluar stërvitje të diferencuar dhe pritet t’i bashkohet pjesës tjetër të ekipit nesër.

Mario Mitaj, Etrit Berisha, Elhan Kastrati, Mirlind Daku dhe së fundmi Jon Mersinaj do të bashkohen gjatë mbrëmjes me ekipin kuqezi, me lojtarët që do të marrin pjesë rregullisht në seancën e radhës stërvitore që do të zhvillohet nesër.

Kombëtarja do të qëndrojë në Tiranë deri të enjten në mëngjes për t’u nisur më pas drejt Moldavisë, ku pasdite do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore.

Ndeshja Moldavi – Shqipëri do të luhet të premten në stadiumin ‘Zimbru’, duke nisur nga ora 18:00./Telegrafi/