Site icon Telegrafi

Shqipëria nis eksportet e para të shalqirit drejt BE-së

Eksporti i shalqirit nga Shqipëria ka shënuar rritje pozitive vitet e fundit, teksa fermerët e zonës Lushnjë-Fier nisën edhe këtë vit më herët nga sezoni eksportet e para të këtij produkti drejt tregjeve të Bashkimit Evropian.

Vetëm gjatë javë 20-26 qershor nga tregjet e Lushnjës dhe Fierit janë eksportuar mesatarisht 65 tonë shalqi çdo ditë drejt Gjermanisë, Çekisë e Austrisë.

Shqipëria ka kushte të favorshme klimatike për kultivimin e shalqirit, që fillon nga muaji prill dhe vazhdon deri në tetor, çka ka nxitur kultivimin e tij jo vetëm nga fermerët e vegjël, bizneset familjare, por edhe nga sipërmarrësit që operojnë në sipërfaqe të mëdha.

Një pjesë e prodhimit të bostanorëve eksportohet në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, duke kontribuar në rritjen e ekonomisë vendase.

Prodhimi i shalqirit në Shqipëri ka një rritje në 3 vitet e fundit, që sipas referimeve të INSTAT, në vitin 2022 ka arritur një prodhim prej 280 994 tonë, nga 240 mijë tonë që ishte një vit më parë.

Shqipëria tashmë ka fituar epërsi eksporti të qëndrueshëm edhe në tregjet e BE-së, teksa eksporton shalqinj kryesisht në vendet fqinje në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, vende që janë gjeografikisht afër dhe kanë kërkesa për fruta të freskëta, veçanërisht gjatë stinës së verës, e lidhur kjo edhe me turizmin.

Ndërkohë që, fermerët dhe eksportuesit shqiptarë janë fokusuar në përmirësimin e cilësisë së shalqirit të prodhuar, në mënyrë që të përmbushin kërkesat e tregjeve ndërkombëtare. Me mbështetjen e Skemës Kombëtare apo projekteve të ndryshme ata po përdorin praktika moderne në prodhimin bujqësor të tilla si cilësia e fidanit, varitetet, zbatimi i sistemeve të ujitjes dhe zbatimi i masave të kontrollit të cilësisë gjatë gjithë procesit të prodhimit.

Shqipëria po i fuqizon gjithnjë e më shumë pozitat e saj në tregun e huaj, ku dominon me eksportet e prodhimeve bujqësore, drejt vendeve të rajonit dhe BE-së.

Exit mobile version