Site icon Telegrafi

“Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve”

Ekspozita lëvizëse “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve”, e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar, solli në Durrës 60 fotografi të realizuara nga oficerë e ushtarakë austro-hungarezë. Nëpërmjet fotografive paraqiten aspekte nga jeta e përditshme ekonomike dhe shoqërore e shqiptarëve të atyre viteve.

Tematika e fotografive të ekspozitës është e ndryshme. Janë shkrepur fotografi nga qytetet e mëdha të Shqipërisë – 15 fotografi nga Tirana, 14 fotografi nga Shkodra – dy fotografi nga Berati, dy fotografi nga Fieri, dy fotografi nga Durrësi dhe një fotografi nga Vlora. Ata kanë realizuar fotografi nga jeta e përditshme.

Në to gjejmë fshatarë me veshje popullore, por edhe zotërinj fisnikë si Prenk Bibë Dodën nga Shkodra. Nuk mund të lemë pa përmendur edhe fotografitë familjare, siç është familja e Osman Beqirit nga Peqini. Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur edhe katër fotografi nga Peqini, dy fotografi nga Kruja, një fotografi nga Rrogozhina etj.

Të gjitha fotografitë janë realizuar gjatë viteve të administrimit austro-hungarez të Shqipërisë 1916-1918. Ky administrim politik, ushtarak e kulturor, përvijoi impakte të shumta në sendërtimin e mëvonshëm të shtetit shqiptar, duke pasqyruar zhvillime pozitive në aspektin e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimimit, si edhe në jetën social-politike të Shqipërisë së pas Luftës së Parë Botërore.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 09 korrik 2019 në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit. /ata/

Exit mobile version