Shqipëria do të marrë pjesë ushtarakisht në dy nga misionet më të rëndësishme të NATO-s.
Nga ministeriali i NATO-s në Bruksel, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi se ushtarakët shqiptarë do të jenë në misionet e Aleancës në detin e Egje dhe në atë të mbrojtjes së kufijve në Letoni.
“Do të shkojmë me ekspertët dhe specialistët tanë, si dhe me oficerët e Shtabit të Përgjithshëm dhe do të jemi prezentë në frontin e zgjeruar lindor, që do të funksionojë gjatë për shkak të kërcënimeve që vijnë nga Lindja. Gjithashtu, Shqipëria ka deklaruar gatishmërinë e saj për të qenë pjesë e misionit në detin Egje, që do të udhëhiqet nga Marina Holandeze”, deklaroi Kodheli.
Në Bruksel, Kodheli u takua edhe me homologun letonez dhe atë kanadez. Ministrja e Mbrojtjes tha se Shqipëria ka marrë përgjigje pozitive për kërkesën e bërë më parë për të ngritur qendrën e ekselencës së NATO-s në Tiranë, e cila do të merret posaçërisht me luftëtarët e huaj.