Site icon Telegrafi

Shqipëria, ndaj Italisë për t’i dhënë fund një rekordi shumë të veçantë

Ndeshja e 24 marsit mes Italisë dhe Shqipërisë do t’i shërbejë kombëtares shqiptare të futbollit jo vetëm për të shlyer gabimet e ndeshjeve të fundit, por edhe për të shkruar emrin në librin e rekordeve të garave ndërkombëtare.

Edhe pse mund të duket e pamundur, një fitore e kuqezinjve do t’i jepte fund një ecurie rekord prej 54 ndeshjesh radhazi të përfaqësueses italiane në kualifikueset europiane, gjatë të cilës askush nuk ka arritur t’i mundë.

Ka kaluar një dekadë që nga humbja e fundit e Italisë në kualifikuese, kur në shtatorin 2006, Franca e mposhti me rezultatin 3-1 duke u hakmarrë disi për humbjen në finalen e Kupës së Botës. Që atëherë, në ndeshje kualifikuese të Europianit apo Botërorit, Italia nuk ka dalë asnjëherë e mundur mga fusha, duke regjistruar 54 ndeshje pozitive radhazi (40 fitore, 14 barazime), një arritje e jashtëzakonshme, po të merret parasysh se aktualisht në Europë janë vetëm dy skuadra të cilat kanë një seri pozitive dyshifrore, transmeton panorama.

E dyta në listë është Anglia, e cila regjistron 33 ndeshje pa humbje (25 fitore, 8 barazime), ndërsa në vendin e tretë është Spanja, e cila edhe falë suksesit në Shkodër ndaj Shqipërisë, ka çuar në 12 numrin e takimeve kualifikuese pa njohur humbje (11 fitore, 1 barazim).

Ndaj ndeshja e marsit, kudo që të luhet në Gadishullin Apenin, vendos futbollistët e kombëtares shqiptare dhe trajnerin De Biazi vetëm një hap larg një arritjeje historike.

Exit mobile version