Site icon Telegrafi

Shqipëria merr përvojën e Kosovës në fushën e kadastrës fiskale

Ministri i Financave i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe homologu i tij shqiptar, Arben Ahmetaj, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, përmes të cilit synohet shkëmbimi i përvojave në fushën e kadastrës fiskale.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se do të ofrojnë përvojën dhe kapacitetin që e posedojnë për të mundësuar digjitalizimin e kadastrës dhe pronësimit të Shqipërisë.

“Pres që këto marrëveshje të japin rezultatet dhe të bëjnë liberalizmin e plotë të dy ekonomive dhe të jetë kjo tashmë një ekonomie komplementare”, tha Hoti.

Kreu i MF-së tha se në këtë takim me homologun Ahmetaj biseduan edhe për avancimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushat përkatëse, si dhe për përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve, raporton Ekonomia Online.

“Në këtë takim u bë e ditur se është bërë progres në shumicën e çështjeve që janë dakorduar gjatë takimeve të mëparshme ndërmjet dy ministrive, gjithashtu kemi identifikuar disa çështje, për të cilat pritet një intensifikim më i shtuar, siç është luftimi i ekonomisë joformale, krijimi i lehtësirave të ndërsjella për zhvillimin e bizneseve, si dhe krijimin e një pike të përbashkët Doganore në Portin e Durrësit, si masë për qarkullim më të shpejtë të mallrave të cilat hyjnë në Shqipëri dhe kanë destinacion Kosovën. Për këtë falënderoj ministrin Arben Ahmetaj dhe Qeverinë e Shqipërisë për gatishmërinë që po na ofron në këtë drejtim”.

Hoti gjithashtu bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për krijimin e një klime më të favorshme për të bërë biznes dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që sektori privat si promotor i zhvillimit ekonomik i të dy vendeve të marrë një kahje më të mirë zhvillimore.

Nga ana tjetër, ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, tha se dëshirojnë të marrin përvojat e Kosovës për sistemin fiskal të pronësimit dhe kadastrës.

“Sistemi i kadastrës fiskale është një mundësi e mirë. Kjo ndihmon Shqipërinë për një administrim më të mirë dhe u jep vlerë pronave të Shqipërisë. Unë dua të kopjoj Kosovën për sistemin e fiskalizimit të pronave”, u shpreh Ahmetaj.

Ai, po ashtu, tha se Shqipëria dhe Kosova tanimë nuk janë dy tregje, pasi që kanë bërë hapa konkretë në funksion të unifikimit të tregjeve tona, rritjes së volumit tregtar dhe nxitjes së shkëmbimeve dypalëshe.“Sistemi i Përbashkët i Transitit, i finalizuar në dhjetor 2016, përmes ndërlidhjes automatike të sistemeve elektronike, u mundëson tashmë bizneseve nisjen e një procedure transiti në territorin e Shqipërisë apo të Kosovës dhe mbylljen e tij në vendin tjetër, duke shmangur kontrollet e panevojshme kufitar dhe reduktuar ndjeshëm kohën dhe kostot për sipërmarrjen”, tha ai.

Ahmetaj, po ashtu, bëri të ditur se Dogana Shqiptare, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë filluar një projekt të përbashkët për hapjen e Zyrës së Operimit të Doganës Kosovare në kuadër të Degës së Doganës në Durrës.

Exit mobile version