Shqipëria konfirmon pjesëmarrjen në festivalin e ardhshëm të këngës “Eurovision Song Contest 2016”. Konfirmimi vjen nga Radio Televizioni Shqiptar.
Shqipëria është vendi i 31-të, i cili konfirmoi pjesëmarrjen e saj në Eurovizion. Këtë edicion festivali do të mbahet më 10, 12 dhe 14 maj, në skenën e “Globe Arena” në Stokholm, Suedi, transmeton shekulli.
Periudha për vendet që të aplikojnë për pjesëmarrje në Eurovizion përfundoi më 15 shtator. Vendet aplikante këtej e tutje kanë një periudhë reflektimi deri më 10 tetor, për të vendosur nëse ata do të qëndrojnë në konkurs, pa u përballur me ndonjë dënim financiar.
Festivali i këngës shqiptare, që mbahet në dhjetor të këtij viti, do të jetë përsëri mekanizmi për të përzgjedhur këngën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Stokholm.
Në vitin 2015, Shqipëria u përfaqësua nga këngëtarja Elhaida Dani, e cila kishte fituar festivalin e këngës për vitin 2014. Elhaida zuri vendin e 17-të në finalen e madhe të Eurovizionit me këngën e saj “I’m alive”.
Shqipëria ka nisur debutimin e saj në Eurovizion në vitin 2004 me këngëtaren Anjeza Shahini, por nuk ka fituar asnjëherë këtë garë. Vendin e saj më të mirë në Eurovizion e arriti në vitin 2012 me këngën “Suus” të Rona Nishliu, duke zënë vendin e 5-të.