Një seancë e fundit stërvitore e Shqipërisë pak orë para ndeshjes, por çka është më e rëndësishmja, edhe një ndryshim planesh për formacionin që do të zbresë pas pak orësh në fushën e Hampden Park.
Christian Panucci duket se do të veprojë ndryshe nga sa të gjithë prisnin, nuk do të jetë një Shqipëri me 5-3-2, por me modulin 4-1-4-1 kundër Skocisë, ku nuk mungojnë risitë edhe me emrat, një formacion që Supersport ka mundur ta zbulojë pavarësisht kujdesit të trajnerit për të ruajtur gjithçka sekret.
E pamundur të imagjinohet një ndryshim mes shtyllave, ku Strakosha ishte njeriu i ndeshjes në fitoren ndaj Izraelit.
Nuk ndryshon as mbrojtja që shikon edhe një herë Veselin dhe Gjimshitin në qendër me Elseid Hysajn dhe Egzon Binakun nga krahët, ndërkohë që fiton një vend për anti-Skocinë që nga minuta e parë Sabien Lilaj, që do të jetë i rreshtuar para mbrojtjes, duke lënë në stol Migjen Bashën, me Xhakën dhe Memushajn që do të jenë para tij.
Befas edhe në krahët e mesfushës, ku emri që katapultohet në formacion është Emanuele Ndoji, me Panuccin që ka vendosur t’i japë besim të riut të Brescias, ndërsa Gavazaj e starton rregullisht në krahun e djathtë.
Në majë të sulmit, Bekim Balaj, që këtë herë e nis titullar me Sindrit Gurin në bankën rezervë.
Është ky formacioni që sipas të gjitha gjasave do të zbresë në fushë këtë mbrëmje në Hampden Park, aty ku pritet të jenë edhe rreth 1.000 tifozë shqiptarë në mbështetje të kombëtares kuqezi.