Site icon Telegrafi

Shqipëria humbet shumë pozicione në renditjen e FIFA-s

Humbja e miqësores me Austrinë i ka kushtuar plot 10 vende në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s Kombëtares Shqiptare.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Gianni De Biasi rrëshkasin në vendin e 45 në klasifikimin e muajit të fundit, duke humbur terren.

Në krahasim me muajin paraardhës ku Shqipëria numëronte 754 pikë, tashmë kuqezinjtë ndodhen në kuotën e 632 pikëve, duke lënë pas kombëtare si Peruja, Norvegjia, Australia apo Serbia.

Kundërshtarët e grupit në Euro 2016 mbeten të pozicionuar më lart se kombëtarja kuqezi pasi Franca ka fituar tre pozicione duke u ngjitur në vendin e 21, ndërsa Zvicra edhe pse ka humbur dy pozicione, renditet në vendin e 14 të klasifikimit botëror.

Edhe Rumania ka humbur tre pozicione duke zbritur në vendin e 19, ndërsa Ukraina që do të përballet në miqësoren e 3 qershorit me ekipin e De Biasit, mban vendin e 22. Përsa i përket kreut të klasifikimit, Argjentina rrëmben pozicionin e parë në dëm të Belgjikës që zbret në të dytin dhe ndiqet nga Kili, Kolumbia, Gjermania, Spanja dhe Brazili.

Exit mobile version