Site icon Telegrafi

Shqipëria heq barrierat për eksportimin e vezëve nga Kosova

Shqipëria ka hapur dyert dhe mirëpret produktet kosovare duke konkretizuar idenë e krijimit të një tregu të përbashkët, pa barriera, pa pengesa me një lëvizje të lirë të mallrave të shërbimeve, duke lejuar kështu edhe eksportimin e vezëve nga Kosova për në Shqipëri.
Kjo u bë e ditur pas takimit të Ministrave të Bujqësisë Memli Krasniqi dhe Edmond Panarit.

Ministri Krasniqi, ka falënderuar Panaritin për angazhim në këtë proces të përbashkët. “ Për herë të parë kemi një bashkëpunim ndërmjet Odës Ekonomike dhe Këshillit Agrar të Shqipërisë, ku edhe do të bëhet një përfaqësim i bizneseve të dy vendeve”, tha Krasniqi.

Nga ana tjetër, ministri Edmond Panariti garantoi se më nuk do të ndodhë më që të ketë bllokime siç ka ndodhur në të kaluarën për mallrat ushqimorë. “Po ashtu jemi në prag të finalizimit të një projekti të përbashkët për njohjen reciproke të standardeve të cilësisë së miellit dhe do ta kem kënaqësinë që ta nënshkruaj këtë këtu në Kosovës ose në Shqipëri”, shtoi Panariti.

Kurse sa i përket hapave më konkret që këto barriera të mos shfaqen në muajin shtator, sidomos, kur bëhet edhe vjelja e rrushit.

“Barrierat që kanë ekzistuar mes nesh kanë qenë barriera të vendosur shumë më herët përmes legjislacionit primar apo sekondar, qoftë të Shqipërisë apo Kosovës dhe ajo që po ndodhë është se ky legjislacion në raste të caktuara është duke ndryshuar dhe nuk po ndryshon për një periudhë të caktuar kohore por po ndryshon përgjithësisht dhe në mënyrë permanente në mënyrë që të avancojmë arritjen e atij objektivi të përbashkët, pra krijimin e një tregu të përbashkët, unik por edhe unifikimin e standardeve qofshin ato të sigurisë apo të cilësisë por edhe të metodologjisë”, shtoi Krasniqi.

Madje ai tha se janë në një stad më të avancuar krahasuar me vitin e kaluar dhe, se sipas tij, është vullneti politik i shprehur vite me radhë, për të arritur rezultate konkrete për marrëveshjet strategjike. /Telegrafi/

Exit mobile version