Telegrafi

Shqipëria ende në pritje të Nedim Bajramit, do të vendoset këtë javë në CAS për fatin e tij

Nedim Bajrami ka vendosur përfundimisht ta përfaqësojë Shqipërinë, por problemi mbetet te FIFA.

Mesfushori shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka luajtur më parë për të gjitha grupmoshat e Zvicrës, derisa tani ka pranuar Shqipërinë.

FIFA nuk e ka lejuar atë të luaj, derisa FSHF e ka dërguar lëndën në CAS.

E për këtë temë ka folur edhe trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja që ka thënë se Bajrami është i vendosur të luaj me Shqipërinë.

“Për Bajramin, ashtu siç e dini është zhvilluar një seancë gjyqësore mbi mundësinë për të ardhur e për të luajtur me Shqipërinë, unë kam folur me lojtarin dhe babain e tij”.

“Ata duan të luajë për Shqipërinë absolutisht, vetëm se ka qenë ky ngërç. Përgjigjen do ta kemi të hënën ose të martën maksimumi. Datat e FIFA-s janë këto kështu që do të presim”.

“Unë uroj që të arrijë të vijë me ne duke parë që është një lojtar që mund të na japë diҫka më shumë nga mesfusha e përpara sepse është një lojtar që ka cilësi, driblon kundërshtar dhe synon portën. Ka pasime cilësorë, filtruese, do ishte një vlerë e shtuar për këtë skuadër”, ka deklaruar Reja.

Bajrami aktualisht luan me Empolin në Serie A dhe është futbollisti kryesor i kësaj skuadre. /Telegrafi/