Fitorja 3-1 me Katarin i shërbeu Kombëtares shqiptare që të përmirësojë pozitat në renditjen e FIFA-s.
Pas klasifikimit botëror të publikuar për muajin qershor, kuqezinjtë e shohin veten në vendin e 42-të.
Skuadra e Gianni De Biasit ngjiti tre vende, duke lënë poshtë vetes skuadra si Skocia, Paraguai apo edhe Egjiptin.
Tashmë Kombëtarja ka 667 pikë në total, 35 më tepër se muajin e kaluar. Shqipëria përmirësoi pozitat e saj vetëm një javë përpara startit të Euro 2016, ndërsa në periudhën prill-maj, skuadra pozicionohej e 45-ta.
Përsa i takon kundërshtarit të miqësores së 3 qershorit, Ukrainës, edhe skuadra nga Evropa Lindore ka fituar 3 pozicione duke u renditur e 19-ta në botë.
Ndërkohë, nga rivalët e Grupit A në Euro 2016, Zvicra pozicionohet e 15-a, Franca e 17-a, ndërsa Rumania klasifikohet në vendin e 22-të.
Në krye të renditjes botërore të FIFA-s mbetet Argjentina, që ndiqet si gjithmonë nga Belgjika. Në vendin e tretë është ngjitur Kolumbia, ndërsa pas një pozicioni të fituar Gjermania tashmë klasifikohet e katërta.