Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar sot mbërritjen në Stamboll të grupit të dytë të efektivëve të Forcave të Armatosura, pjesë e skuadrës shqiptare të kërkim – shpëtimit.
Autoritetet shqiptare dërguan një ditë më parë një grup prej 54 personash me specialistë të kërkim-shpëtimit, mjekë dhe infermierë për të ndihmuar operacionet e kërkimit në zonat e goditura nga tërmeti shkatërrimtar në Turqi.
“Sapo mbërriti në Stamboll edhe grupi i dytë i efektivëve të Forcave të Armatosura, pjesë e skuadrës shqiptare të kërkim – shpëtimi”, ka shkruar Rama në Facebook.
Më shumë se 8.700 persona kanë humbur jetën, si pasojë e tërmetit shkatërrues prej 7.8 magnitudë që goditi Turqinë dhe Sirinë.
Numri i të vdekurve është rritur për më shumë së 900, që kur për herë të fundit gjatë natës së kaluar autoritetet e atjeshme raportuan për situatën në terren, transmeton Telegrafi.
Ekipet për menaxhimin e situatave të jashtëzakonshme në Turqi, kanë njoftuar se numri i të vdekurve në vendin e tyre ka shkuar në 6.234 derisa i atyre të lënduar në 37 mijë. /Telegrafi/