Skuadra kombëtare e Shqipërisë hyn në ritëm të plotë stërvitor, në kuadër të ndeshjes miqësore të 13 nëntorit ndaj Turqisë në Antalya.
Ekipi kuqezi, me disa prurje të reja në listën e Christian Panuccit, është akomoduar në një resort turistik, ku zhvillon dy seanca stërvitore në ditë.
Gjatë paradites, trajneri është fokusuar në punën me repartet e ndara, pasi mbrojtja ka punuar e veçuar, po ashtu edhe mesfusha e sulmi.
Ndërkohë, gjatë seancës së dytë stërvitore të kësaj të mërkure, është vënë re se trajneri e ka përqendruar punën e tij në pjesën taktike, njofton SuperSport.
Panucci, në seancën e dytë stërvitore, në ndryshim nga ajo e paradites ku punoi me repartet në veçanti, e ka ndarë ekipin në dy grupe.
Gjithashtu trajneri ka zhvilluar dhe një mini-ndeshje për rreth 20 minuta, për të vlerësuar dhe situata të ndryshme taktike të lojës.
Migjen Basha është stërvitur veçmas duke kryer disa ushtrime të lehta dhe një vrapim rreth fushës, për shkak se ka pasur disa shqetësime fizike.
Këto ditë i shërbejnë Panuccit për të njohur sa më shumë skuadrën, që ndryshe nga ndeshjet zyrtare, do të testojë disa emra të rinj, si Kamer Qaka apo futbollisti tjetër Astrit Ajdareviç.
Të enjten, ndërkohë, kombëtarja shqiptare do të ketë vetëm një seancë stërvitore dhe ajo do të mbahet gjatë paradites.