Federata Shqiptare e Futbollit ngre zërin në FIFA në lidhje me provokimin e ultra-nacionalistëve grekë që shpalosën të ashtuquajturin flamur të Vorio Epirit në miqësoren Greqi-Mali i Zi në Athinë.
Institucioni i futbollit shqiptar nëpërmjet një komunikate për shtyp ka reaguar për ngjarjen duke shprehur indinjatën më të thellë për shfaqjen e simboleve ekstreme nacionaliste në stadiumin Karaiskakis të Athinës në 24 mars.
FSHF vlerëson se shpalosja e një flamuri gjigant që evokon një frymë të hapur urrejtje dhe nacionaliste nuk përfaqëson thjesht një grup tifozësh ekstremistë, por dhe një mungesë të patolerueshme në organizimin dhe administrimin e ndeshjes nga ana e vendit pritës.
Duke qenë se këto episode nuk kanë lidhje me futbollin dhe shkelin rëndë rregullat e FIFA-s, Federata Shqiptare e Futbollit bën të ditur se po përgatit një ankesë e cila do t’ju drejtohet komisioneve përkatëse të FIFA-s, të cilat duhet të mbajnë qëndrim për këtë rast që nxit nacionalizmin dhe nuk ka asnjë lidhje më frymën e Fair-Play.