Në Shqipëri, 344 persona janë arrestuar në muajin korrik, nga të cilët 184 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 160 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, ka bërë të ditur sot Policia e Shtetit shqiptar.
Po ashtu, policia rrugore njofton se janë pezulluar 1799 leje drejtimi, nga të cilat 1123 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 424 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 252 për qarkullim në krah të kundërt etj.
Janë ndëshkuar me masë administrative në të gjithë vendin, 46.049 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, konkretisht 8.146 për parakalime të gabuara, 5.193 për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, 5.809 drejtues mjetesh për mos vendosje të rripit të sigurimit, 7.702 për shpejtësi tej normave të lejuara e sjellje agresive në rrugë dhe 4.545 për mos vendosje të kaskës mbrojtëse, 10.456 drejtues mjetesh për parkime të gabuara, duke u bërë pengesë për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe të këmbësorëve.
Policia Rrugore e Tiranës ka ndëshkuar me masë administrative 3.697 drejtues mjetesh, për qarkullim në korsi të dedikuara për mjetet e transportit publik dhe ato të emergjencës, si dhe 501 drejtues të tjerë mjetesh për shkelje të semaforit.
Policia Rrugore kërkon respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Digjital, çdo shkelje të Kodit Rrugor.