Site icon Telegrafi

Shqetësime serioze për sigurinë e punëtorëve

Një punëtor, roje në një qendër tregtare në Prishtinë, ka humbur jetën, derisa është përballur me persona të maskuar, të cilët kanë tentuar të plaçkitin para nga kjo qendër.

Niveli i sigurisë për punëtorët në vendet e tyre të punës, sidomos në sektorin privat, vazhdon të jetë i ulët.

Një gjë të këtillë e pranojnë edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se kohët e fundit është rritur numri i vdekjeve dhe lëndimeve të punëtorëve në vendet e tyre të punës.

“Në vitin 2014, kemi pasur mbi 50 raste të lëndimeve në vendin e punës dhe 9 raste të vdekjeve në vendin e punës. Duke pasur parasysh ketë çështje, do të thotë se ne nuk jemi të kënaqur me sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës. Ne do të zhvillojmë një fushatë vetëdijësuese për punëdhënësit që të krijojnë siguri më të mirë në vendet e punës”, tha Ibrahimi.

Paga mesatare në sektorin privat, arrin vlerën prej 228 eurosh në muaj, karshi asaj në sektorin publik, që arrin deri në 441 euro në muaj. Përveç kësaj, përfaqësues të punëtorëve theksojnë se investimet e sektorit privat për sigurinë e punëtorëve janë minimale.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, sindikatë kjo që funksionon në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se gjendja e rëndë e ekonomike dhe shkalla e lartë e papunësisë po detyron qytetarët që për një pagë minimale të rrezikojnë edhe jetën e tyre.

“Vetëm kafshata e gojës e detyron një punëtor t’i përballojë ato kushte të punës. Për shembull, pagat që kompanitë e sigurimeve ju japin punëtoreve janë paga të cilat nuk të lënë të vdesin, por është shumë e vërtetë se edhe nuk të lënë të mbijetosh se nuk ke çka bën me 120 euro në muaj. Ne të gjithë po jetojmë këtu dhe e dimë se çka mund të bësh me ato para”, tha Azemi.

Ndryshe, në Kosovë ekzistojnë disa kompani që merren me sigurimin privat të objekteve publike dhe bizneseve të ndryshme.

Abedin Hasani është themelues i kompanisë se sigurimit “Besa Security”.

Edhe Hasani pohon se kohët e fundit janë rritur rastet e sulmeve ndaj punëtorëve të kompanive të sigurimeve.

“Kemi rasti të tilla çdo muaj, jo të vrasjeve, por tentim vjedhje dhe në bazë të statistikave edhe në vitin 2014 ka qenë një numër i madh. Por, posaçërisht 2015-ta është shqetësuese”, tha Hasani.

Hasani pranon se pagat që marrin punëtorët për sigurimin e objekteve të ndryshme janë minimale.

“Është e dhimbshme, paguhen shumë pak, por ne jemi ndër kompanitë që paguajmë më së miri. Pagesa bëhet me orë pune, varet nga vendi dhe tregu e cakton çmimin. Zakonisht çmimi i një ore punë është rreth 1 euro. Kurse kompanitë e tjera e kanë edhe më të dhimbshme. Edhe paga që ne e ofrojmë është e dhimbshme, sepse është e dobët”, tha Hasani.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në vitin 2011 ka miratuar Ligjin e Punës. Sipas këtij ligji, i punësuari ka të drejtë në sigurinë në punë, në mbrojtje të shëndetit dhe në ambientin e përshtatshëm të punës.

Punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve, në të kundërtën, shqiptohen gjoba.

Sidoqoftë, siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë, rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.

Por, sipas Basri Ibrahimit, sektori privat nuk respekton ligjet në fuqi. /Rel/Telegrafi/

Exit mobile version