Telegrafi

Shqetësime për tubimet e “Vetëvendosjes” nëpër shkolla (Video)

Tubimet politike të Lëvizjes Vetëvendosje me nxënës të shkollave të mesme, për deputetët e legjislativit janë të papranueshme dhe keqpërdorim i fëmijëve, raporton KTV.

Deputetja Blerta Deliu Kodra ka reaguar ndaj këtyre aktiviteteve duke thënë se pos që janë abuzim i të miturve, me këtë edhe po politizohen institucioneve arsimore.

Ajo ka thënë se Vetëvendosje po e shkel ligjin për arsimin parauniversitar, derisa akuzat nuk kanë munguar as për Komunën e Prishtinës, që udhëhiqet nga ky subjekt dhe po jep leje për këto tubime.

Për organizimin e debateve me nxënës të shkollave të mesme të Prishtinës në hapësirat e institucioneve arsimore janë shprehur të shqetësuar edhe prindërit.

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka bërë thirrje që të ndërmerren masa për ndalimin e këtyre aktiviteteve. Ministri Arsim Bajrami, ka thënë se tashmë i kanë kërkuar drejtorive komunale të arsimit që të mos lejojnë tubime me fëmijë.

Për tubimin që deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti kishte të mërkurën me nxënës në hapësirat e shkollës fillore “ Faik Konica”, Komuna e Prishtinës thotë se kanë pasur leje për shfrytëzim të objektit pa e penguar procesin mësimor.